Ndërlidhjet

Meta: Kosova ka perspektivë evropiane


Ilir Meta
Ilir Meta

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, njëherësh zëvendëskryeministër, ftoi vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, që të punojnë për një perspektivë të qartë evropiane.




Kosova dhe Shqipëria kanë perspektivë të qartë evropiane, ka thënë të mërkurën në Prishtinë, zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta.

Shefi i diplomacisë shqiptare, gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Prishtinë, është pritur nga presidenti, kryeministri, si dhe udhëheqës të tjerë të lartë të Kosovës dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare.

Meta ka thënë se Bashkimi Evropian, me raportin e fundit për Kosovën, ka treguar qartë se edhe Kosova do ta ketë vendin e vet meritor në familjen evropiane dhe ka inkurajuar institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me plotësimin e kritereve të parapara për këto integrime.

Kosova dhe institucionet e saj janë në një moment shumë të rëndësishëm për të përballuar dhe një perspektivë të re evropiane gjithnjë e më të qartë që po i ofrohet dhe do t’i ofrohet Kosovës”.

“Ka një angazhim konkret, së fundmi, në mënyrë që edhe Kosova të ketë udhërrëfyesin e saj për të fituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian”, ka theksuar Meta.

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta është angazhuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në rajon, duke i bërë ftesë edhe Serbisë që të reflektojë pozitivisht ndaj realitetit të ri në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Serbinë, me qeverinë demokratike atje, me presidentin Tadiq dhe besojmë që edhe Serbia do të kontribuojë në të ardhmen për një politikë sa më realiste ndaj Kosovës”,
është shprehur Meta.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu ka falënderuar shtetin shqiptar për angazhimin diplomatik në favor të njohjeve të reja për Kosovën.

Sejdiu ka theksuar se diplomacia shqiptare po luan rol të rëndësishëm dhe në proceset e përfshirjes së Kosovës në organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.

“Falënderojmë Republikën e Shqipërisë për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë, jep dhe do t’i japë Kosovës, dhe ministrin e Jashtëm në shtimin e njohjeve. Ka 63 vende që e kanë njohur Republikën e Kosovës, por do të kemi dhe urojmë të kemi mbështetje të mëtejshme dhe shtim numrash”.

“Janë procese të mëdha ato që i kemi bërë me anëtarësimin në Bankën Botërore, në FMN dhe aspekte tjera që janë të interesit të veçantë të integrimeve rajonale”,
ka deklaruar Sejdiu.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë, duke përmendur dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe tashmë të nënshkruara me kryeministrin Sali Berisha.

“Do të vazhdojmë me gjithë përgjegjësinë tonë shtetërore që bashkëpunimi mes dy qeverive tona të thellohet edhe më tepër dhe marrëveshjet që i kemi nënshkruar së bashku me kryeministrin Berisha, të vazhdojnë të implementohen në të gjithë sektorët”, ka theksuar Thaçi.

Bashkëpunimi dhe integrimi i rajonit në BE është vlerësuar si proces shumë i rëndësishëm për shqiptarët, nga ana e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Integrimet në Bashkimin Evropian janë integrime edhe brenda përbrenda kombit shqiptar dhe, sigurisht, që këto integrime i tejkalojnë kufijtë administrativë që janë vendosur në hapësirat shqiptare sot”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, Ilir Meta, pas takimit me Krasniqin, ka theksuar se shqiptarët dhe i gjithë rajoni i shohin me interes të shtuar integrimet evropiane, pasi që me përmbylljen e këtij procesi, ai ka thënë se po përmbyllet edhe vendosja e paqes dhe stabilitetit në mbarë Evropën.

“Shqiptarët, si asnjë komb tjetër, e pësuan nga ndarja e Evropës dhe shqiptarët, ndoshta si asnjë komb tjetër, po fitojnë nga bashkimi i Evropës. Jam i bindur se është Bashkimi Evropian ai që realizon aspiratat, jo vetëm të të gjithë shqiptarëve”, ka theksuar Meta.

Falënderime për kontributin e shtetit shqiptar për Kosovën, Ilir Meta ka marrë edhe nga përfaqësuesit e opozitës. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e vlerëson lart rolin e Tiranës në raport me Kosovën.

“Shpreha dëshirën e madhe që e kemi ne në Kosovë për të pasur mundësinë që sa më shpesh të jemi bashkë, sepse jemi të bindur se në takime, e në vizita do të mund t’i shtojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në të gjitha ato zhvillime që janë të mira e të ndërsjella. E falënderoj edhe unë në kuadër të të gjithë neve në Kosovë”, është shprehur Haradinaj.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka takuar edhe përfaqësues tjerë të partive politike dhe ata të minoriteteve.

Kurse, të enjten, në ditën e dytë të vizitës së tij, Meta pritet të bëjë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, si dhe do të vizitojë Manastirin e Deçanit.
XS
SM
MD
LG