Ndërlidhjet

Kosova pret epilog real nga GJND-ja


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare, thonë autoritetet në Prishtinë. Ata shprehen optimistë se GJND-ja do të japë mendim pozitiv për Kosovën.


Institucionet dhe subjektet politike në Kosovë presin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë një proces të drejtë, të paanshëm dhe në favor të Kosovës dhe të së drejtës së popullit të saj për liri e pavarësi.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të prezantohet sa më denjësisht para GJND-së në Hagë, për të argumentuar se shpallja e pavarësisë ishte në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

“Historia jonë politike e juridike tregon se të tjerët kanë bërë shkelje të normave ndërkombëtare në Kosovë, duke ardhur me dhunë dhe duke u larguar me dhunë e gjenocid”.

“Ne jemi pavarësuar si Kosovë pas shumë viteve të vuajtjeve e përpjekjeve, luftës, por edhe ndihmës nga bota demokratike, që ka ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë”,
tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi u shpreh i bindur se Serbia nuk do të ketë sukses në qëllimet e saj për të frenuar zhvillimin e Kosovës dhe procesin e njohjes ndërkombëtare.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se çështja e Kosovës edhe një herë po trajtohet si rast i veçantë, pasi që, sipas tij, nuk është praktikë që gjykatat të merren me probleme politike.

“Edhe pse problemi i Kosovës ka qenë problem politik dhe nuk është në traditën e asnjë gjykate të vendeve demokratike, por as të GJND-së, që të merret me probleme politike, ju e dini se Kosova është ‘sui generis’ dhe në këtë rrafsh mendoj se, edhe kësaj radhe, çështja e Kosovës po trajtohet si një problem ‘sui generis’”, theksoi Krasniqi.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se beson në epilog pozitiv për Kosovën, në mënyrë që të mos krijohen pengesa në procesin e integrimeve dhe njohjeve të reja.

Kurse, paralajmërimet se GJND-ja mund të dalë me një mendim që lë hapësira interpretimi pozitiv për të dyja palët në proces, sipas Gjinit, kjo nuk nënkupton se ai është negativ për Kosovën.

“Sipas të gjitha gjasave, vendimi nuk do të jetë në disfavor të Kosovës. Nuk besojmë se mund të ketë vendim në disfavor të Kosovës”.

“Kurse, dykuptimësia do të thotë se vendet, popujt kanë të drejtë që ta shpallin pavarësinë kur ballafaqohen me regjime, të cilat janë të egra dhe brutale ndaj popujve”,
deklaroi Gjini.

Në anën tjetër, Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, tha se pret një mendim të balancuar të GJND-së, marrë parasysh se edhe përbërja e gjyqtarëve në GJND, sipas saj, është e balancuar.

“Gjithsesi që porosia do të jetë, sipas të gjitha gjasave, neutrale”, tha Trajkoviq.

Por, sipas saj, me këtë proces do të mund të hapet një perspektivë e re e bisedimeve për të drejtat e banorëve të Kosovës pa ngarkesa politike.

Marrja e mendimit të GJND-së rreth asaj se ishte apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, ishte iniciuar nga Serbia dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pasi që GJND-ja të japë këtë mendim këshillëdhënës, pritet që ai, në formë raporti, t’i adresohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kurse nuk përjashtohet mundësia që t’i drejtohet si mendim edhe Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG