Ndërlidhjet

Balotazhi nën hije


Balotazhi për kryetarët e komunave të Kosovës po kalon nën hijen e zhvillimeve tjera politike, thonë analistët. Sipas tyre, në Kosovë është krijuar një paqëndrueshmëri politike, që do të ndikojë në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.


Zhvillimet e shumta politike dhe ato të sigurisë ndërmjet dy raundeve të votimit kanë lënë nën hije balotazhin për kryetarët e 21 komunave të Kosovës, vlerësojnë analistët.

Sipas tyre, ishin dy zhvillime ato që ndërruan, në njëfarë forme, kahen e të gjitha proceseve tjera.

Fillimisht, deklarimi i prishjes së koalicionit aktual qeverisës në Kosovë, e më pas edhe publikimi i disa dosjeve e disqeve të ndryshme me akuza për krime politike, veçohen nga analistët si zhvillime që domosdoshmërisht do të kenë ndikim edhe në fushatën zgjedhore.

Analisti Ilir Deda, drejtor i Institutit Kosovar për Politika Zhvillimore – KIPRED, thotë se opinioni publik duket të jetë i preokupuar më shumë me zhvillimet tjera politike dhe jo me balotazhin.

Këto ndodhi të javëve të kaluara e kanë rritur paqëndrueshmërinë politike në Kosovë. Momentalisht, ne kemi një mosbesim shumë të madh ndërmjet partnerëve të koalicionit, e kemi një mosbesim të opinionit publik ndaj udhëheqësisë politike, duke marrë parasysh ngjarjet e javëve të kaluara”.

“Dhe, unë nuk shoh ndonjë mënyrë elegante, e cila do të mund ta ruante koalicionin në këtë formë dhe një qeverisje edhe për më shumë se një vit”,
thotë Deda.

Ndërkohë, edhe analisti Halil Matoshi vlerëson se procesi i zgjedhjeve është dëmtuar ndjeshëm dhe opinioni, sipas tij, mund ta humbë interesimin për zgjedhje.

Ai nuk sheh qëndrueshmëri politike as në nivelin qendror, pas paralajmërimeve shumë të përfolura për prishjen e më pas ndreqjen e koalicionit PDK-LDK.
Qeveria e Kosovës mbahet me infuzione nga ambasadat perëndimore...

“Koalicioni edhe ashtu nuk është duke funksionuar, qysh atë natë kur PDK-ja, njëanshëm, e shpalli prishjen e tij, për shkak se LDK-ja, në rrethin e dytë, po zgjidhte partner të koalicioneve nëpër komuna të ndryshme Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”.

“Kështu që mendoj se, praktikisht, Qeveria e Kosovës mbahet me infuzione nga ambasadat perëndimore
”, shprehet Matoshi.

Të gjitha këto zhvillime, sipas analistit Halil Matoshi, duhet ta shpien Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin vijues.

“Nëse nisemi nga kjo logjikë, se si po rrjedhin proceset politike në vend, mendoj se presidenti i vendit do të detyrohet të shpërbëjë Kuvendin dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme diku për verën e vitit që vjen”, thotë Matoshi.

I mendimit se Kosova do të shtrëngohet që të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, është edhe analisti Ilir Deda.

Por, paraprakisht, ai kërkon që të ketë një rol më të fuqishëm monitorues ndërkombëtar për procesin e ardhshëm eventual të zgjedhjeve, marrë parasysh rëndësinë që do ta kenë ato për Kosovën.
Kjo paqëndrueshmëri politike detyrimisht do ta shpjerë Kosovën në zgjedhje në vitin 2010...

Kjo paqëndrueshmëri politike detyrimisht do ta shpjerë Kosovën në zgjedhje në vitin 2010. Çka duhet të jetë primare për zgjedhjet 2010? Duhet të ketë një vëzhgim shumë më të madh ndërkombëtar të të gjithë procesit zgjedhor dhe sidomos të numërimit të votave, që të mos ketë dyshim më se a po shkelet, a po vidhet vota e qytetarëve të Kosovës”, thotë Deda.

Ndryshe, në Kosovë tashmë ka filluar fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarët e 21 komunave. Subjektet kryesore rivale në këto zgjedhje mbeten Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat në qendër janë në koalicion qeverisës.

Kjo, sipas shumë analistëve, është vlerësuar edhe si një indikator shtesë se rivaliteti lokal midis këtyre dy partive shumë shpejt mund të ndikojë edhe në vetë qëndrueshmërinë e qeverisë qendrore.
XS
SM
MD
LG