Ndërlidhjet

Zgjedhje të parakohshme?


Pas përmbylljes së zgjedhjeve lokale, partitë politike në Kosovë thonë se do ta analizojnë gjendjen për të parë nëse është i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për vitin e ardhshëm.

Ndërsa opozita shprehet më e zëshme në kërkim të zgjedhjeve parlamentare, edhe partitë në pushtet nuk e përjashtojnë si mundësi organizimin e procesit të parakohshëm zgjedhor.


Subjektet më të mëdha politike në Kosovë nuk e përjashtojnë si mundësi hapjen e debatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Elementi kryesor që, sipas partive politike, do të përcaktojë nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, do të jetë funksioni i institucioneve aktuale.

Partia Demokratike e Kosovës, ndonëse i konsideron si fushatë politike vlerësimet e ndryshme për paqëndrueshmërinë politike dhe krizën qeveritare, shprehet e gatshme t’i përgjigjet çdo rrethane të re, përfshirë edhe debatin për zgjedhje të parakohshme parlamentare për vitin 2010.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë se prioritet aktual është mbajtja e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale më 13 dhjetor, e më pas të vlerësohen rrethanat politike nëse duhet shtruar edhe çështja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme.
PDK-ja, së pari, do ta analizojë thellësisht situatën dhe secilit realitet të mundshëm do t’i përgjigjet në mënyrë të përgjegjshme, të drejtë, të arsyeshme dhe korrekte...

“Së pari duhet të kryhet edhe kjo pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor, kurse çështjet tjera, përfshirë edhe atë rreth zgjedhjeve, mund të jenë potencialisht pjesë e një debati”.

“Por, sido që të jetë, në cilindo variant dhe në cilindo opsion, PDK-ja, së pari, do ta analizojë thellësisht situatën dhe secilit realitet të mundshëm do t’i përgjigjet në mënyrë të përgjegjshme, të drejtë, të arsyeshme dhe korrekte
”, thotë Stavileci.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pse aktualisht deklarohet se nuk ka një qëndrim të prerë, do t'i mbështeste idetë për debat ndërmjet spektrit të gjerë politik, nëse është apo jo i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve vitin vijues.

Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, thotë se zgjedhjet mund të vijnë në shprehje nëse vërehet mosfunksionim i institucioneve në nivelin qendror.
Ajo, për të cilën LDK-ja ngulmon, është pikërisht funksionimi i plotë i institucioneve, efikasiteti në qeveri dhe natyrisht politika zhvillimore për vendin...

“Ajo, për të cilën LDK-ja ngulmon, është pikërisht funksionimi i plotë i institucioneve, efikasiteti në qeveri dhe natyrisht politika zhvillimore për vendin”.

“Nëse Qeveria apo institucionet tjera nuk do të jenë në gjendje, apo do të jenë në vështirësi që të garantojnë funksionim të plotë, efikasitet dhe politika zhvillimore në raport me qytetarin dhe vendin, ne sigurisht që do të japim vlerësimin tonë dhe natyrisht do të bëjmë thirrje për veprime tjera apo të mëtutjeshme”,
thekson Miftari.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga tabori opozitar, konsideron se zgjedhjet e vitit 2010 janë të vonuara dhe jo të parakohshme.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, rikujton se ky subjekt politik pati kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen sivjet, bashkë me ato lokale. Një prej argumenteve të AAK-së pse insiston në zgjedhje, sipas Ramadanit, është edhe mosfunksionimi i qeverisë aktuale.
Zgjedhjet nacionale janë të domosdoshme dhe ato do të duhej të mbahen menjëherë në pranverën e ardhshme, pra në vitin 2010...

“Skena politike ka ndryshuar dhe, në të njëjtën kohë, aspekti politik ose bashkëpunimi i partnerëve në koalicion shihet se është plotësisht i prishur dhe realisht kjo qeveri tashmë ka humbur legjitimitetin e vet”.

“Prandaj, zgjedhjet nacionale janë të domosdoshme dhe ato do të duhej të mbahen menjëherë në pranverën e ardhshme, pra në vitin 2010”,
thotë Ramadani

Në bazë të Kushtetutës, është presidenti i Kosovës ai, i cili, pas konsultimeve me partitë politike, mund të iniciojë çështjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas analistëve në Prishtinë, zhvillimet politike dhe ato të sigurisë që ndodhën këto tri javët e fundit, kanë krijuar një paqëndrueshmëri politike dhe pashmangshëm mund ta shpien Kosovën drejt zgjedhjeve parlamentare për vitin 2010 dhe jo më 2011, siç ishte vendosur më herët nga institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG