Ndërlidhjet

Një vit i EULEX-it në Kosovë


Në njëvjetorin e shtrirjes së plotë të EULEX-it në Kosovë, zyrtarë të këtij misioni thanë se vendimi i 27 vendeve anëtare të BE-së për të dërguar misionin më të madh evropian në Kosovë, tregon qartë përkushtimin e BE-së ndaj Kosovës.



Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, është i domosdoshëm për të krijuar një ambient ku sundon rendi dhe ligji, u tha sot në njëvjetorin e shtrirjes së EULEX-it në Kosovë.

Në shënimin e këtij njëvjetori, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, takoi presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Me këtë rast, Kermabo tha se ky ishte një vit i sfidave, por vit i një pune pozitive. Ai tha se ka bashkëpunim të mirë me vendorët, ndërkaq e mohoi mundësinë e acarimeve pas rasteve të fundit të përfshirjes së këtij misioni në hetimin e rasteve të dyshuara për krime politike.

Iv de Kermabo
Fakti që EULEX-i është misioni më i madh i BE-së, në të cilin përfaqësohen të gjitha vendet anëtare, sipas Kermabosë, tregon qartë përkushtimin e Brukselit ndaj Kosovës.

“Vendimi nga 27 vendet anëtare të BE-së që të dërgojnë misionin e tyre në Kosovë, tregon qartë përkushtimin e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe perspektivën e saj integruese evropiane”, tha Kermabo.

Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu, pasi e vlerësoi pozitivisht punën njëvjeçare të misionit EULEX në fushën e sigurisë dhe atë të gjyqësisë, i rikonfirmoi shefit të EULEX-it gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim me këtë mision, në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit.

“Praktikisht, kemi objektiva shumë të qarta se si të zhvillohen më tepër, më shpejt dhe është me rëndësi që në të gjitha këto procese, ne kemi një konstatim të përbashkët, se në Kosovë dhe në zhvillimin e saj të demokracisë, zhvillimet ekonomike dhe të gjitha zhvillimet tjera, ligji dhe kushtetutshmëria do të jenë alfa dhe omega e përcaktimit dhe mbështetjes sonë”,
tha Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, përveç vlerësimeve pozitive për EULEX-in, tha se nuk do të lejohet kurrfarë përzierje e politikës me sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke ua adresuar të njëjtat mesazhe edhe përfaqësuesve të këtij misioni.

“Nuk do të lejojmë që politika të ndikojë në sistemin e drejtësisë; këtu flas për politikën vendore, apo pretendimin e interferimit, qoftë të ndonjë personaliteti ndërkombëtar në sistemin e drejtësisë me agjendë politike”.

“Edhe njerëzit që punojnë në EULEX, i nënshtrohen sundimit të ligjit dhe janë të barabartë para ligjit”,
tha Thaçi, duke iu referuar rastit të Nazim Bllacës, i cili, përmes paraqitjeve publike, tha se ishte përfshirë në disa vepra kriminale, andaj më pas atij i ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak nga ana e EULEX-it.

Lidhur me këtë rast, Kermabo kërkoi durim dhe mosndërhyrje, duke e cilësuar atë si rast për drejtësinë dhe i cili është në procedim e sipër.

“Le të vazhdojë procesi, le ta lëmë drejtësinë të punojë. Drejtësia është një proces i gjatë dhe mjaft kompleks dhe nuk mund ta zgjedhim çështjen brenda natës”, tha Kermabo.

Në njëvjetorin e EULEX-it, edhe serbët e Kosovës shprehën komentet e tyre. Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb, tha se EULEX-i duhet t’i përmbahet neutralitetit ndaj statusit dhe të respektojë Rezolutën 1244, që të konsiderohet i suksesshëm.

Nëse anashkalohet Rezoluta 1244 në funksion të formimit të shtetit të pavarur të Kosovës, me siguri se një mision i tillë do të ishte i papranueshëm për serbët”, u shpreh Veliq.

Pjesëtarë të EULEX-it
Që ky mision të konsiderohet si pozitiv për komunitetin serb, sipas tij, çështjet si doganat, sundimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të rregullohen në kuadër të bisedimeve me Serbinë dhe nën mandatin e Rezolutës 1244.

Ndryshe, misioni i Bashkimit Evropian shtrin autoritetin e vet në tri fusha: atë të policisë, drejtësisë dhe doganave.

Një ngecje më e madhe e këtij misioni vlerësohet se vërehet në pjesën veriore të Kosovës, ku Kermabo tha se nuk ka alternativë tjetër pos vazhdimit të shtrirjes në një numër më të madh të këtij misioni edhe atje.

Si misioni më i madh evropian deri më tash, BE-ja ka angazhuar aty rreth 3,000 punonjës, prej tyre 1,900 ndërkombëtarë dhe afërsisht 1,100 vendorë.
XS
SM
MD
LG