Ndërlidhjet

Përgatitjet për balotazh


Në Kosovë, nga mesnata filloi heshtja zgjedhore pas fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 21 komuna. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se procesi është përgatitur mirë dhe se gjithçka është gati për raundin e dytë të votimeve më 13 dhjetor. Edhe Policia e Kosovës beson se i ka ndërmarrë të gjitha masat, në mënyrë që e diela të kalojë qetë.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet që të dielën, më 13 dhjetor, në 21 komuna të Kosovës të organizohet raundi i dytë i votimeve për kandidatët për kryetarë të komunave.

Sekretari ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peçani, thotë se të gjitha përgatitjet e nevojshme kanë përfunduar dhe se materiali zgjedhor është i sigurt dhe do të shpërndahet të dielën nëpër qendrat e votimit në bashkëpunim me organet e rendit.

“Përgatitjet e planit operacional të sigurisë do të jenë njësoj siç kanë qenë në raundin e parë. Ndryshe, procesi është më i thjeshtë, rezultatet do të jenë më të shpejta, brenda natës apo sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Ne e kemi obligim ligjor që t’i certifikojmë rezultatet për kryetarë të komunave në raundin e dytë dhe rezultatet për asambletë komunale, pasi që asambletë duhet të konsolidohen në janar”,
thotë Peçani.

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës beson se i ka ndërmarrë të gjitha masat, në mënyrë që e diela të kalojë qetë dhe pa incidente.

Granit Fetahu, drejtor i policisë për planifikim dhe zhvillim pranë Departamentit të rendit publik, thotë se parashikimet e policisë janë se nuk do të ketë asnjë kërcënim që mund të tregojë ndonjë indikacion për ndonjë zhvillim të papritur të dielën.

Ai rikujton se edhe fushata parazgjedhore gjatë balotazhit ka kaluar qetë dhe pa incidente. Ditën e diel, Fetahu thotë se do të angazhohen rreth 4 mijë policë.

“Angazhimi policor do të jetë në kapacitete të plota, mirëpo, veçanërisht, sa u përket detyrave policore për balotazh, do të kemi të angazhuar diku rreth 4 mijë zyrtarë policorë”.

“Policia e Kosovës nuk vlerëson se do të ketë incidente, por, për çdo rast, është e përgatitur për çfarëdo skenari, problemi apo situate, në mënyrë që të sigurojë që qytetarët e Kosovës ta kryejnë të drejtën e tyre për votim në një ambient të qetë dhe të sigurt”,
thotë Fetahu.

Ngjashëm me raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 15 dhjetor, edhe gjatë balotazhit do të ketë monitorim nga organizatat joqeveritare.

Koalicioni i këtyre organizatave “Demokracia në Veprim”, pos që konfirmoi monitorimin e zgjedhjeve, u bëri thirrje subjekteve politike që të mbizotërojë një proces demokratik. Ismet Kryeziu fton të gjitha subjektet pjesëmarrëse që ta respektojnë votën e zgjedhësve kosovarë.

“U bëjmë thirrje partive politike, komisionarëve të tyre, u bëjmë thirrje vëzhguesve të tyre, u bëjmë thirrje kandidatëve për kryetarë, të cilët garojnë, që, më 13 dhjetor, legjitimitetin e tyre politik, mandatin e tyre politik ta marrin në bazë të besueshmërisë qytetare”,
shprehet Kryeziu.

Në raundin e parë, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetarë fituan në Drenas, Skenderaj, Ferizaj, Shtime dhe Zubin Potok. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi në Gjakovë, Deçan, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Të dielën, ndonëse të gjitha komunat vlerësohen me prioritet, një përqendrim më i madh i subjekteve garuese është vërejtur në garën për Pejën, Prizrenin, Gjilanin e Mitrovicën.
XS
SM
MD
LG