E shtuna në Kosovë po shënon heshtjen zgjedhore për rrethin e dytë të votimeve për kryetarë komunash.
Në prag të balotazhit, i cili zhvillohet të dielën për kryetarët e 21 komunave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që nesër të hapen me kohë të gjitha vendvotimet.
Sekretari ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peçani, thotë se gjithçka është gati për ditën e zgjedhjeve.
Kurse, materiali zgjedhor, sipas tij, është i sigurt dhe do të shpërndahet nëpër qendrat e votimit, në bashkëpunim me organet e rendit.
“Ky plan është bërë në koordinim edhe me Policinë e Kosovës. Ne, tashmë, e kemi bërë distribuimin e materialit sensitiv për të gjitha 21 komunat, nëpër qendrat e votimit dhe tani ky material gjendet në depot e komisioneve komunale dhe është duke u ruajtur dhe siguruar nga Policia e Kosovës”.
“Ndërsa, në mëngjesin e datës 13, duke filluar nga ora 05:00, do të fillojë distribuimi i materialit sensitiv në të gjitha qendrat e votimit”, deklaron Peçani.
Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës thotë se ka përgatitur një plan operativ për ditën e zgjedhjeve, duke angazhuar rreth katër mijë policë, të cilët do të kujdesen për sigurinë e qytetarëve dhe për sigurimin e materialit zgjedhor.
Granit Fetahu, drejtor i Policisë për Planifikim dhe Zhvillim në departamentin e Rendit Publik, thotë se të gjitha veprimet e policisë, të dielën, do të koordinohen edhe me KQZ-në, nëse do të ketë nevojë për intervenime.
“Policia ka përgatitur planin operativ për këtë ditë, i cili është përgatitur në bashkëpunimin të vazhdueshëm me KQZ-në. Policia është përgjegjëse për sigurimin e perimetrit të jashtëm të qendrave të votimit”.
"Dhe, sipas legjislacionit, me kërkesë të shefit të qendrës së votimit, i cili është nga KQZ-ja, policia intervenon derisa të vihet situata nën kontroll dhe menjëherë duhet të dalë jashtë, meqenëse është e ndaluar që armët të jenë të pranishme në brendinë e qendrës së votimit”, thekson Fetahu.
Ngjashëm me ditën e votimeve më 15 nëntor, edhe gjatë balotazhit do të ketë monitorim të zgjedhjeve nga organizatat joqeveritare.
Koalicioni i këtyre organizatave “Demokracia në Veprim”, pos që konfirmon monitorimin e zgjedhjeve, u bën thirrje subjekteve politike që të mbizotërojë një proces demokratik.
Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim”, kritikon qasjen e institucioneve që në vendvotimet ku hetohen parregullsi, fletëvotimet të shpallen të pavlefshme, duke kërkuar që në këso raste duhet organizuar ri-votimin, në mënyrë që të mos përbuzet vota e qytetarëve të Kosovës.
“Kemi dalë kundër vendimit të KZAP-it (Komisioni Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa), për anulimin e vendvotimeve dhe pamundësinë e përsëritjes së votimeve në ato vendvotime”.
“Pavarësisht asaj se a ndikon apo jo në rezultat, pasi që ajo është çështje politike, neve nuk na intereson ndikimi në rezultat, por neve na intereson që çdo qytetari, i cili do të votojë, t’i numërohet vota”, thotë Kryeziu.
Zgjedhjet e 15 nëntorit janë cilësuar të suksesshme nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Pas përfundimit të raundit të parë, nga të cilat u përcaktuan asambletë komunale dhe zgjedhja e 17 kryetarëve të komunave, të dielën më 13 dhjetor, pason raundi i dytë për zgjedhjen e 21 kryetarëve nëpër komunat që shkuan në balotazh.