Ndërlidhjet

Rezultatet preliminare të balotazhit


“Demokracia në Veprim” dhe partitë politike kanë shpallur rezultatet e para preliminare për zgjedhjet e rrethit të dytë. PDK dhe LDK pretendojnë se e kanë fituar Prizrenin. Ndërkohë, KQZ-ja nuk ka shpallur ende rezultatet preliminare.



Janë publikuar rezultatet e para preliminare për zgjedhjet e rrethit të dytë për kryetarët e 21 komunave të Kosovës.

Krahas partive politike, edhe koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim”, ka shpallur rezultatet e para preliminare, ku nuk përfshihen votimet me kusht.

Sipas këtyre rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës, nga 17 komuna ku ka garuar, ka fituar në 10 prej tyre.

Sipas “Demokracisë në Veprim”, kandidatët e PDK-së kanë fituar ose prijnë në garë për kryetar në Gjilan, Mitrovicë, Klinë, Lipjan, Kaçanik, Malishevë, Dragash, Viti, Vushtrri, dhe Rahovec.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, nga 10 komuna në sa ka garuar, sipas “Demokracisë në Veprim”, ka fituar në 6 prej tyre, ku përfshihen Prizreni, Istogu, Kamenica, Novobërda, Podujeva dhe Obiliqi.

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga 7 komuna në sa ka garuar, sipas këtyre rezultateve, ka fituar në 3 prej tyre, përkatësisht në Pejë, Suharekë dhe Junik.

Gjithashtu, sipas “Demokracisë në Veprim”, në Shtërpcë ka fituar kandidati serb nga Partia e Pavarur Liberale, kurse në Han të Elezit, kandidati i pavarur Refki Suma.

Rezultatet e balotazhit për kryetarët e 21 komunave që shkuan në balotazh i kanë shpallur edhe partitë politike.

Si PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja kanë shpallur fitoret e tyre në Prizren. Gjithashtu, të dyja partitë pretendojnë se kanë fituar në Gjilan dhe në Lipjan.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka shpallur fitoret e kandidatëve të partisë së tij në Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Klinë, Lipjan, Kaçanik, Malishevë, Dragash, Viti, Vushtrri, dhe Rahovec.

Ndërkohë, LDK-ja ka shpallur fitoret e kandidatëve të saj në Prizren, Istog, Kamenicë, Novobërdë, Podujevë dhe Obiliq. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kandidatët e saj janë fitues edhe në Gjilan dhe Lipjan.

Kurse, AAK-ja ka konfirmuar fitoren e kandidatëve të saj në Suharekë, Pejë dhe Junik.

Pas raundit të parë, 15 komuna qenë fituar pa balotazh. Më 15 nëntor, PDK-ja ka fituar në Ferizaj, Skenderaj, Gllogovc, Shtime dhe Zubin-Potok.

LDK-ja ka fituar Prishtinën dhe Fushë-Kosovën, ndërkaq AAK-ja ka fituar Deçanin, Gjakovën, Zveçanin dhe Leposaviqin dhe është në balotazh në 7 komuna.

Po në raundin e parë, Partia Liberale Serbe ka fituar Graçanicën dhe Kllokotin. Kurse, kandidati i Partisë Demokratike Turke do ta udhëheqë Mamushën, përderisa ai i Iniciativës Qytetare për Ranillugun do të qeverisë komunën e re të Ranillugut.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkaq, nuk i ka shpallur ende rezultatet preliminare.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka konfirmuar se këto rezultate do të publikohen diku kah mesnata. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në balotazhin e 13 dhjetorit votuan 37.88 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
XS
SM
MD
LG