Ndërlidhjet

KFOR-i në 10 mijë trupa


Admirali Mark Ficxherald viziton FSK-në, Prishtinë,15 dhjetor 2009
Admirali Mark Ficxherald viziton FSK-në, Prishtinë,15 dhjetor 2009

Nga janari i vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbeten 10 mijë trupa të KFOR-it dhe do të mbyllen disa baza ushtarake, tha në Prishtinë, komandanti i forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali amerikan Mark Ficxherald. Ai e vlerësoi të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Kosovë.


NATO vlerëson në vazhdimësi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe mbi këtë bazë vendos për shkurtimin e trupave të KFOR-it, tha në Prishtinë, komandanti i forcave të përbashkëta në Napoli, admirali amerikan Mark Ficxherald.

Pas një takimi që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Markus Bentler, admirali Ficxherald tha se në Kosovë viti 2009 shënoi një vit të sfidës, por edhe të suksesit.

Zyrtari i NATO-s theksoi se në Kosovë tashmë ka përparime të mëdha në fushën e sigurisë, kështu që nga fillimi i vitit 2010 do të ketë shkurtime të trupave të KFOR-it.

“NATO është deklaruar se nga janari do të fillojë shkurtimin e trupave deri në 10 mijë, sa do të mbeten në Kosovë. Kjo nënkupton se disa baza do të mbyllen, si dhe të fillojë komandimi i këtyre trupave nga baza e KFOR-it në 'Film City', në Prishtinë”, tha Ficxherald.

Komandanti i forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali amerikan Mark Ficxherald
Ngritjes së shkallës së sigurisë, sipas tij, i kanë kontribuuar edhe mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë në fushën e sigurisë.

Kurse, shkurtimi i mëtejmë i trupave ushtarake, tha Ficxherlad, do të varet nga gjendja e sigurisë në terren dhe vlerësimet e Komandës së NATO-s, në Bruksel. Sidoqoftë, Ficxherald tha se NATO do të ruajë një prani të saj në Kosovë.

Admirali amerikan, po ashtu, vlerësoi se ngritja e bazës ushtarake të Serbisë afër Bujanocit, që ndodhet në kufi me Kosovën, nuk shkel marrëveshjen e Kumanovës dhe nuk paraqet kërcënim për Kosovën.

“Si shtet sovran, ka të drejtë ta hapë atë bazë ushtarake, kurse unë nuk e shoh atë aspak si kërcënim për Kosovën”, theksoi admirali Ficxherald.

Admirali amerikan u prit edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Temë qendrore e këtyre takimeve ishte ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e NATO-s.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se reduktimi i trupave të KFOR-it, është tregues për gjendjen stabile dhe paqe të qëndrueshme në Kosovë.

Kurse, ngritja e FSK-së, theksoi Thaçi, do të bëhet sipas standardeve të NATO-s.

“Roli i FSK-së është i përcaktuar qartë me Kushtetutë, me dokumentin e presidentit Ahtisari dhe angazhimet tjera që kemi pasur. Ajo që kërkohet nga të gjithë, është respektimi i lartë i profesionalizimit sipas standardeve të NATO-s”.

“Gjithçka është duke shkuar në drejtim të duhur që me të vërtetë të kemi një Forcë të Sigurisë së Kosovës shumë të konsoliduar, profesionale dhe multietnike”,
tha Thaçi.

Në anën tjetër, Ficxherald edhe njëherë konfirmoi mbështetjen e NATO-s për FSK-në.

Sipas planit të Ahtisarit, Forca e Sigurisë së Kosovës është paraparë të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

FSK-ja do të ketë një armatim të lehtë dhe do të ngritet nën mandatin e plotë të NATO-s. Aktualisht, kjo forcë ka mbi 1.500 pjesëtarë.

Për kosovarët, FSK-ja paraqet bërthamën e ushtrisë së ardhshme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG