Ndërlidhjet

Rifreskim i Qeverisë apo zgjedhje?


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Analistët në Prishtinë vlerësojnë se zgjedhjet lokale do të kenë efekte në koalicionin aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Rikonfigurimi i këtij koalicioni, apo edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sipas analistëve, janë opsione krejtësisht të pritshme, pas zhvillimeve që përcollën fushatën, zgjedhjet dhe sidomos sjelljet e dy partive më të mëdha.



Rifreskimi i Qeverisë aktuale të Kosovës është minimumi që partnerët e koalicionit mund të bëjnë për t’ia zgjatur jetën kësaj qeverie, thonë analistët.

Pas zgjedhjeve lokale që u përcollën me një fushatë dhe fjalor mjaft të ashpër, si dhe rezultateve preliminare të balotazhit, analistët në Prishtinë nuk e përjashtojnë si mundësi edhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, sipas analistëve, do të kërkojë edhe një harmonizim me faktorin ndërkombëtar.

Andaj, analisti Bardh Hamzaj vlerëson se një rikonfigurim eventual i Qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të jetë një nga opsionet e mundshme.

“Mendoj se pavarësisht, ndoshta, dëshirës së të dyja partive që të bëjnë ndryshime, ose ta përfundojnë këtë koalicion, megjithatë PDK-ja dhe LDK-ja do të jenë të detyruara ta vazhdojnë koalicionin”.

“Do të mundohen ndoshta atë që e përmendi edhe kryeministri, që të bëjnë një riformatim, por edhe për shkak të ndikimit të faktorit ndërkombëtar nuk supozoj që shpejt mund të shohim një rënie të këtij koalicioni”,
thotë Hamzaj.

Më pak optimist për jetëgjatësinë e këtij koalicioni është analisti Shpend Ahmeti. Ai thotë se jo vetëm zgjedhjet, por zhvillimet që përcollën fushatën dhe dy rrethet e votimit, kanë lënë krejtësisht pak hapësirë që ky koalicion të vazhdojë deri në fund të mandatit.

“Në mes të dy raundeve i kemi pasur ato dy goditje të rënda; njëra gati me rënien e Qeverisë brenda natës dhe në mëngjes sjellja se asgjë nuk ka ndodhur, e pastaj edhe rasti Bllaca”.

“Të gjitha këto zhvillime, në kombinim me rezultatet që po i shohim, shumë të ngushta në katër komuna të Kosovës, ku ka akuza të ndërsjella, mendoj se natyrisht që luajnë rol në stabilitetin e Qeverisë dhe do të ndikojë që kjo qeveri t’i ketë gjasat shumë të ulëta që të vazhdojë deri në fund të mandatit, në fund të vitit 2011”,
shprehet Ahmeti.

Derisa koalicioni qeverisës besohet se nuk mund të kalojë pa u prekur nga efektet e zgjedhjeve lokale, epilogu i pazgjidhur i Prizrenit konsiderohet se mund të reflektojë edhe në raportet PDK-LDK në qendër.

Bardh Hamzaj kritikon qasjen e të dyja partive që shpallën veten fituese në Prizren, marrë parasysh rezultatin aq të ngushtë atje. Kjo, sipas tij, vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen.

“Epilogu i Prizrenit ndoshta mund të jetë ai shkasi që mund ta përkeqësojë mjaft raportin edhe ashtu të përkeqësuar midis PDK-së dhe LDK-së, që pastaj do të vërehej në ekzistimin e koalicionit qeverisës”.

“Përndryshe, në këtë gjendje siç janë partnerët e koalicionit, vazhdimi i këtij koalicioni me të vërtetë nuk ka kuptim, përpos shtyrjes së kohës dhe mandatit”,
thekson Hamzaj.

Rikonfigurimi i Qeverisë nuk përjashtohet si opsion as nga analisti Shpend Ahmeti. Por, ai nuk beson në qëndrueshmërinë e koalicionit as pas rikonfigurimit eventual.

“Duket tani si një opsion real që edhe kryeministri i Kosovës e ka përmendur, do të thotë mund të pritet që në muajin janar të ketë një rifreskim të Qeverisë, d.m.th. ndërrim të ministrave”.

“Me këtë rifreskim, unë mendoj se do të shtyhet edhe pak rënia e kësaj qeverie, posaçërisht deri në përfundimin e procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, mirëpo kjo qeveri nuk mendoj se do të mund të mbijetojë deri në vitin 2011”,
vlerëson Ahmeti.

Sidoqoftë, analistët vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve lokale nuk do të luante aq shumë rol dhe ndikim në koalicionin qeverisës, sa ka ndikuar sjellja e disa zyrtarëve të LDK-së gjatë fushatës, pastaj deklarimi i prishjes së koalicionit nga ana e zyrtarëve të PDK-së, si edhe rasti tashmë shumë i përfolur “Bllaca” dhe dëshmive e akuzave të tij përmes disqeve publike.
XS
SM
MD
LG