Ndërlidhjet

Veriu - sfidë edhe gjatë 2010-ës


Pamje nga Mitrovica
Pamje nga Mitrovica

Veriu i Kosovës vazhdon ta sfidojë vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, thonë përfaqësuesit politik në Kosovë. Përderisa Ministria e Brendshme shpreh besimin se disa hapa të ndërmarrë në vitin 2009 dhe ata që do të pasojnë gjatë këtij viti, do ta kthejnë normalitetin në veri, opozita i vlerëson të dështuara përpjekjet e deritashme në këtë pjesë të Kosovës.



Kthimi i rendit dhe ligjit, duhet t’i paraprijë normalizimit të gjendjes në veri të Kosovës, thonë zyrtarët kosovarë.

Përderisa instalimi i pushtetit lokal në tri komunat veriore dhe krijimi i komunës së Mitrovicës së Veriut mbeten çështje që do të kalojnë përmes vendimeve të përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, angazhimet tjera në këtë pjesë thuhet se kanë të bëjnë me aspekte të sundimit të ligjit, marrë parasysh funksionimin e strukturave paralele dhe jolegale atje.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se kthimi i normalitetit në veri ka të bëjë edhe me luftimin e krimit të organizuar, kontrabandës dhe dukurive tjera negative.

“Në vitin që vjen ne duhet t’i sforcojmë angazhimet tona në implementimin e disa strategjive që i kemi për luftimin e krimit, menaxhimin e integruar të kufirit dhe luftën kundër terrorizmit”.

“Këto janë kryesisht strategji që dedikohen në çështje që janë të ndjeshme dhe që janë pengesë për funksionalizimin e plotë në veri të vendit
”, thotë Pajaziti.

Ministri Pajaziti u premton ndihmë institucioneve tjera, si atyre ndërkombëtare, ashtu edhe atyre lokale në veri, në angazhimet për vendosjen e sundimit të ligjit.

Gjatë vitit 2009, ai shpreh besim se janë vënë baza të mira që të vazhdohet tutje deri në normalizimin e plotë në veri.

“Trendët, me të cilët kemi shkuar në konsolidim të sigurisë në veri, kanë qenë pozitivë dhe vetëm vazhdimi i këtyre trendëve do të sigurojë që në vitin 2010 të kemi një funksionalitet të plotë të institucioneve dhe trend normal të sundimit të ligjit në veri të vendit”, thekson Pajaziti.
Ndryshe nga ministri i Brendshëm, gjendjen në veri e vlerëson Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sekretari i saj i përgjithshëm, Burim Ramadani thotë se në veri, institucionet vendase kanë dështuar dhe nuk kanë pushtet, e as qasje atje.

“E dimë që edhe gjatë vitit 2009 kryeministri dhe presidenti i Kosovës nuk kanë mundur dhe nuk mund as sot që të punojnë, të paktën, një ditë në rreth 30 për qind të territorit të Kosovës që është një dështim më vete”, shprehet Ramadani.

Funksionalizimi i administratës lokale në veri, gjykatave dhe pikave doganore, konsiderohen si hapat e parë që duhet ndërmarrë në pjesën veriore të Kosovës.

Burim Ramadani thotë se beson që institucionet e Kosovës dhe jo EULEX-i duhet ta kenë rolin parësor në këtë angazhim.

“Mund të konstatojmë që EULEX-i është këtu në rolin ndihmues dhe primati, ose udhëheqja, në proceset e zhvillimit të sektorit të sigurisë, janë komplet vendore, nën kompetencat e vendorëve”.

“Prandaj, ne kërkojmë dhe do të donim që institucionet e Kosovës ta kenë rolin udhëheqës, kurse EULEX-it t’i besohet ndihma, për të cilën është këtu”,
thekson Ramadani.

Sidoqoftë, pjesa veriore e Kosovës mbetet sfidë e vazhdueshme për Kosovën, për shkak të funksionimit të strukturave paralele serbe që mbështeten nga Beogradi zyrtar, të cilat nuk i njohin institucionet dhe nuk i respektojnë ligjet e shtetit të Kosovës.

Gjendja në këtë pjesë ka qenë dhe mbetet sfidë për Kosovën në dhjetë vjetët e fundit.
XS
SM
MD
LG