Ndërlidhjet

Bisedimet për vizat – çështje muajsh apo vitesh?


Përfshirja e Kosovës në bisedime me BE-në për liberalizimin e vizave nga zyrtarët kosovarë komentohet në mënyra të ndryshme. Qeveria e Kosovës ka aprovuar një udhërrëfyes të njëanshëm, i cili parasheh kriteret e njëjta që Komisioni Evropiani ka kërkuar për vendet që tashmë janë përfshirë në liberalizim.



Qeveria e Kosovës paralajmëron se brenda një muaji Kosova mund të përfshihet në bisedime me Bashkimin Evropian në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

Ndërkohë, parashikime më skeptike paraqesin deputetët e Kuvendit, nga Komisioni për Integrime.

Optimizmi i Qeverisë së Kosovës mbështetet në debatet dhe rekomandimet e Parlamentit Evropian të miratuara nga Këshilli i BE-së, ku përmendet edhe Kosova.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, shprehet optimist për përfshirjen e Kosovës në këto bisedime, e, rrjedhimisht, edhe në marrjen e udhërrëfyesit që tregon rrugën e Kosovës drejt “Shengenit të Bardhë”.

“Kemi pasur edhe rekomandime që kanë qenë pozitive për përfshirjen tonë në procesin e liberalizimit të vizave dhe diku në dhjetor, Këshilli i Ministrave të BE-së ka miratuar rekomandimet e Parlamentit Evropian dhe këto rekomandime do të fillojnë të zbatohen këtë v
it”, thotë Pajaziti.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zylfije Hundozi, thotë se Komisioni e ka ftuar ministrin Pajaziti, që ai të hënën të raportojë lidhur me përgatitjet e Kosovës për këtë proces.

Deputetja Hundozi thotë se ka shumë punë dhe kritere që Kosova duhet t’i plotësojë para se të shpresojë për liberalizimin e vizave.

“Duhet përmbushur disa kritere që kërkohen nga Komisioni Evropian që të vijmë deri te bisedimet për liberalizimin e vizave”.

“Ato janë, riatdhesimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i integruar i kufijve, pastaj janë dhe një sërë kriteresh si luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pa i përmbushur këto kritere, mendoj se është joserioze të thuhet se do të nisin bisedimet muajin e ardhshëm apo ngjashëm”
, shprehet Hundozi.

Këto ditë, eurodeputetja Tanja Fajon tha se kosovarët aktualisht nuk janë në agjendën e Bashkimit Europian për të qenë pjesë e “Shengenit të Bardhë”.

Sipas saj, Kosova duhet t’i plotësojë një sërë kriteresh për t’u bërë pjesë e procesit të liberalizimit të vizave.

Sidoqoftë, ministri Zenun Pajaziti pret që brenda një muaji të nisin bisedimet për këtë qëllim ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

“Ne presim që së shpejti, ndoshta në fund të këtij muaji apo muajin tjetër, të fillojë procesi i bisedimeve me BE-në për mënyrën e përfshirjes sonë në procesin e liberalizimit të vizave
”, thekson Pajaziti.

Një mendim tjetër nga ministri Pajaziti, shpreh deputetja Hundozi.

Bazuar në dinamikën e punës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe agjendën evropiane për Kosovën, ajo thotë se parasheh një periudhë më të gjatë kohore për përfshirjen e Kosovës në këtë proces, krahasuar me pritjet e Qeverisë.

“Me muaj nuk mund të flasim, por me vite. Unë do të supozoj, ndoshta deri në vitin 2012 më së afërmi, nëse punojmë me një tempo të përshpejtuar si Qeveria ashtu edhe Parlamenti, por dihet se Qeveria është ekzekutivi, ata i kryejnë këto punë”
, thekson Hundozi.

Në pamundësi që të marrë udhërrëfyesin nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme ka hartuar udhërrëfyesin e njëanshëm, i cili bazohet në kriteret e njëjta që kanë parashikuar për vendet tashmë të përfshira në liberalizim.

Duke plotësuar këto kritere, Kosova mëton që në momentin e nisjes së bisedimeve me BE-në, t’i ketë të plotësuara kriteret, në mënyrë që vendi të mos mbetet i vetmi në rajon i izoluar nga familja evropiane.
XS
SM
MD
LG