Ndërlidhjet

A vetizolohet Serbia shkaku i Kosovës?


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

A është e qëndrueshme diplomacia që aktualisht ushtron Beogradi, kur bëhet fjalë për Kosovën? Duke refuzuar të marrë pjesë në ngjarjet, në të cilat marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës, Serbia shkon në vetizolim.




Presidenti Boris Tadiq nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Kroacisë, Ivo Josipoviq. Ky i fundit ka thënë se këtë nuk e sheh si kurrfarë akti armiqësor ndaj Kroacisë, dhe se raportet Kroaci-Serbi nuk duhet të maten me raportet Kroaci-Kosovë.

“Mendoj se ky është hap joracional që nuk i kontribuon askujt, por kjo është punë e Serbisë. Nuk shoh se çfarë do të fitojë Serbia duke ikur nga përfaqësuesi i Kosovës. Nuk shoh se do të ndryshojë diçka në politikën serbe, nëse presidenti Tadiq nuk do të vijë në Zagreb për shkak të presidentit ë Kosovës”, ka thënë Josipoviq për B92.

Duke refuzuar të marrë pjesë në ngjarjet dhe tubimet ku paraqiten edhe përfaqësuesit e Kosovës, Serbia, në plan afatgjatë, shkon në vetizolim, vlerësojnë bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë.

Ish-ambasadori amerikan në Kroaci dhe Serbi, Uilliam Montgomeri, konsideron se me politikën e këtillë, Serbia e dëmton veten.

“Personalisht mendoj se shkuarja e presidentit Tadiq në inaugurimin e presidentit kroat, nuk do të nënkuptonte se Serbia e ka ndryshuar politikën ndaj Kosovës, ose ka bërë ndonjë hap drejt njohjes së saj".

"Nuk është Serbia, por është Kroacia ajo që ka ftuar presidentin e Kosovës. Në inaugurim, presidenti serb nuk duhet të takohet patjetër me presidentin kosovar. Madje, Serbia mund të merrte pjesë duke thënë se kjo nuk nënkupton se e ka ndryshuar politikën ndaj Kosovës
”, thotë Montgomeri.

Ish-ambasadori amerikan thotë për Radion Evropa e Lirë se është i bindur se duke ndjekur një politikë të këtillë, Serbia në plan afatgjatë vetëm do të dëmtohet.

“Konsideroj se vendimi i këtillë i Serbisë është shumë kundërproduktiv dhe do t’i shkaktojë dëm vetë asaj. Kur vendosni të mos merrni pjesë në ngjarjet dhe tubimet ku paraqiten përfaqësues të palës tjetër, atëherë kjo ju izolon dhe ju mbyll në një politikë, të cilën pastaj e keni shumë vështirë ta ndryshoni. Prandaj, mendoj se kjo është një politikë shumë kundërproduktive”, shprehet Montgomeri.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vojin Dimitrijeviq, thotë se nuk është hera e parë që në historinë moderne disa vende të ndërmarrin kundërmasa ndaj vendeve të tjera.

“Do të sjellë më shumë izolim, sepse nëse ne zemërohemi dhe izolohemi dhe nuk vijmë kur vijnë ata, atëherë kjo është politikë e keqe e mosnjohjes së realitetit. Por, duhet pasur parasysh edhe anën e brendshme. Nëse Tadiqi do të shkonte, atëherë këtu do ta merrte lumi".

"Siç e dini, këtu ende nuk ka kurrfarë debati publik për Kosovën. Më kanë pyetur se a ka te ne debat intelektual për atë nëse duhet ta njohim apo jo Kosovën. Nuk ka, ai as që ekziston dhe askush nuk guxon ta hapë”
, thotë Dimitrijeviq për Radion Evropa e Lirë.

Jelko Kacin, euro-parlamentar nga Sllovenia dhe raportues i Parlamentit të Evropës për Serbinë, vlerëson se nuk ka kurrfarë arsyesh të mëdha që presidenti Boris Tadiq të mos paraqitet në inaugurimin e presidentit kroat Ivo Josipoviq.

“Inaugurimi i presidentit të Kroacisë nuk është inaugurim i presidentit të Kosovës. Presidenti i ri kroat ka sjellë tone shumë racionale, pro-evropiane dhe intelektuale, andaj mendoj se presidenti serb privohet nga një rast unik për ta manifestuar orientimin pro-evropian të Serbisë dhe të vetes së tij. Fakti që atje do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Sejdiu, nuk mund të jetë arsye që Tadiq të mos shkojë".

"Nuk ka asnjë nevojë që ata atje të përqafohen, gjë të cilën opinioni serb do ta kuptonte në mënyrë negative. Por, para së gjithash, bëhet fjalë për marrëdhëniet me presidentin e ardhshëm të fqinjit të parë serb, i cili ka shkuar më së largu me negociatat për hyrje në Bashkimin Evropian dhe që ndoshta do të marrë pjesë në vendimet e ardhshme për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor",
thotë Kacin.

Kacin thotë për Radion Evropa e Lirë se të shfrytëzosh praninë e presidentit të Kosovës si pretekst për të mos shkuar në inaugurimin e Josipoviqit, nuk është gjë e mençur dhe vizionare edhe për një arsye tjetër.

Gjithçka që bën në Kosovë dhe për Kosovën, Serbia pretendon se e bën për serbët e Kosovës. Mendoj se me praninë e tij në këtë inaugurim, zoti Tadiq do të bënte hap të madh në dobi të serbëve të Kosovës".

"Unë e kuptoj që Beogradi i ka pikëpamjet e veta historike ndaj Kosovës, por, para së gjithash, mua më intereson e ardhmja dhe fati i atyre serbëve që kanë mbetur në Kosovë dhe që jetojnë në Kosovë”
, thotë Kacin. (V.P.)
XS
SM
MD
LG