Ndërlidhjet

Ligjet e brishta "përhapin" korrupsionin


Ekspertë kosovarë për çështje ekonomike shprehin shqetësimin e tyre se ligjet aktuale, në aspektin ekonomik, ofrojnë hapësirë për përhapjen e korrupsionit. Ata thonë se ky fenomen po e shkatërron komunitetin e biznesit. Për këtë arsye, sipas tyre, autoritetet kompetente duhet të përmirësojnë infrastrukturën ligjore në këtë rrafsh.



Legjislacioni aktual, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, në aspektin ekonomik, ofron hapësirë të mjaftueshme për përhapjen e korrupsionit, duke dëmtuar komunitetin e biznesit, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Muhamet Mustafa, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thekson se komuniteti i biznesit, problem kryesor për zhvillimin e veprimtarisë së vet ka korrupsionin.

Për këtë, shprehet Mustafa, një nga obligimet më të rëndësishme të autoriteteve kompetente është lufta kundër korrupsionit, e veçmas, sipas tij, korrigjimi i Ligjit për prokurimin publik.

“...sepse, ai ligj nuk e mbron sa duhet konkurruesin më të mirë. Patjetër, duhet të merren masa që ky ligj të korrigjohet dhe ata që kanë vërejtje në vendimet që marrin organet e shqyrtimit, prokurimit publik, të kenë mundësi mbrojtjeje efektive edhe me gjyq”
, thotë Mustafa.

Edhe Safet Gërxhaliu, nënkryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se vetë ligjet aktuale po e shkatërrojnë zhvillimin e komunitetit të biznesit.

Ai thotë se një kompani nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e saj, nëse i jepet hapësirë konkurrencës jolegale.

“Legjislacioni në Kosovë, shumë më tepër është kah keqinterpretohet, kah keqpërdoret dhe kah orientohet aty ku mbrohen qarqet e caktuara, sesa një legjislacion i tillë të jetë aktiv apo të jetë i zbatueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe, kuptohet, kundër dukurive negative që janë karakteristikë e shoqërisë kosovare”
, pohon Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, mungesa e ligjeve favorizuese për komunitetin e biznesit dhe shtrirja e korrupsionit në sferën ekonomike kanë bërë që shumë kompani të jenë para falimentimit.

“Vetë fakti se në vitin 2009, vetëm 30 kompani kosovare kanë paguar 40 për qind të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, është një dëshmi se aktiviteti i biznesit kosovar është në ngufatje e sipër”.


“Është më se e vërtetë dhe më se shqetësues fakti se falë këtij legjislacioni, komuniteti i biznesit kosovar është më tepër në mbrojtje të biznesit ekzistues, sesa në ekspansion të rritjes”,
shprehet Gërxhaliu.

Ndryshe, Muhamet Mustafa thekson nevojën e vetëdijesimit më të lartë të shoqërisë për moslejimin e korrupsionit në vend.

Ndërsa, institucionet kosovare, veçmas Kuvendi i Kosovës, vlerëson Mustafa, duhet të ushtrojnë një kontroll më të madh për zbatimin e ligjeve dhe për eliminimin e hapësirave korruptive brenda tyre.

“Në këtë drejtim mund të flitet se legjislacionit i duhet një korrigjim, forcim, por ajo që i duhet dhe është primare në Kosovë, është gatishmëria politike e të gjithë faktorëve për të luftuar korrupsionin”
, thekson Mustafa.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se korrupsioni mbetet kërcënim serioz për funksionimin normal të bizneseve në Kosovë.

Sipas tyre, pavarësisht ligjeve ekzistuese, të cilat kërkojnë edhe transparencë, ata detyrohen të përfshihen në afera korruptive, në mënyrë që të rrisin profitin e tyre.

Madje, në një hulumtim që ka bërë një asociacion në Kosovë, 60 për qind e bizneseve tashmë kanë deklaruar se u kanë dhënë mito zyrtarëve qeveritarë.
XS
SM
MD
LG