Grupi Drejtues Ndërkombëtar i përbërë nga 25 vende që e kanë njohur dhe përkrahur pavarësinë e Kosovës, u kanë dhënë mbështetje angazhimeve të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës në përpjekjet për të vendosur sundimin e ligjit në veri të vendit.
Pas takimit të mbajtur të hënën në Vjenë, GDN-ja, përmes një komunikate me shkrim, e ka cilësuar si sfidë kyçe integrimin e të gjitha komuniteteve, sidomos atij serb.
“GDN mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës, duke marrë parasysh rekomandimet e ICO-së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit”, thuhet në komunikatë.
Aty u është bërë thirrje të gjitha palëve, përfshirë edhe Serbinë, që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces jetik, për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas takimit në Vjenë, se GDN-ja i ka dhënë mbështetje Kosovës për të gjitha proceset dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet.
“Ne besojmë se Qeveria e Kosovës, nga ajo që u tha, ka marrë mbështetje të fuqishme për të gjitha angazhimet e veta në drejtim të realizimit të objektivave që dalin nga raporti i progresit të vitit 2009, zhvillimet në drejtim të liberalizimit të vizave, pastaj të marrëdhënieve tregtare me BE-në, si dhe është diskutuar për strategjinë për veriun e vendit dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë kosovare”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkaq, në fjalimin e tij para GND-së, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se mungesa e ligjshmërisë në pjesën veriore, i ka kushtuar shumë Kosovës, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
“Ne jemi treguar të përmbajtur dhe do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në veprimet tona, por përfundimisht jemi të vendosur për rendin dhe ligjin në veri të Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Plani gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Mbështetja dhënë strategjisë për integrimin e veriut, është vlerësuar si hap pozitiv në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës nga analisti Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it.
“Ajo çka do të jetë më me rëndësi për Kosovën, është përkrahja që këto vende i japin strategjisë për veriun e Kosovës. Kjo ka rëndësi, sepse është hera e parë që bashkësia ndërkombëtare e dërgon një mesazh shumë të qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se bashkësia ndërkombëtare është serioze rreth integrimit të veriut në pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë Deda.
Bazuar në pakon e Ahtisarit, GDN-ja ka shqyrtuar dhe i ka dhënë përkrahje mandatit të Piter Feithit në Kosovë, i cili do të vazhdojë të mbajë postin e të dërguarit të BE-së dhe atë të shefit të ICO-së.
Sidoqoftë, GDN-ja ka kërkuar që Feith, tash e tutje të fokusohet më tepër në përkrahjen e krijimit të kornizës institucionale të Kosovës drejt mbikëqyrjes së zbatimit.
Analisti Ilir Deda ka thënë një rishqyrtim i tillë është paraparë edhe me Pakon e Ahtisarit, marrë parasysh se Kosova po përmbyll në vitin e dytë të pavarësisë së saj.
“Kjo është e paraparë edhe në planin e Ahtisarit se dy vite pas shpalljes së pavarësisë, jo vetëm mandati i Piter Feithit, por i gjithë mandati i zyrës, që ai drejton, do të rishikohet dhe me siguri se do të jepet një plan, i cili do të çojë në zvogëlimin gradual të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe në një shuarje graduale të saj”, ka theksuar Deda.
Ndryshe, GDN-ja të hënën ka vlerësuar se integriteti territorial i Kosovës është i lidhur ngushtë me stabilitetin rajonal dhe është kërkuar bashkëpunim edhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në fushat rajonale që kanë të bëjnë me interesin më të mirë të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane.
Kurse, institucioneve të Kosovës u është kërkuar që, përveç përmirësimit të gjendjes së komuniteteve pakicë, sidomos atij serb, të bëjnë përparime urgjente në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, pastaj në përmirësimin e kapacitetit administrativ dhe instalimin e sundimit të ligjit, përfshirë edhe veriun e Kosovës.