Ndërlidhjet

Privatizimi i Brezovicës, sukses politik


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Autoritetet kosovare, në bashkëpunim me zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, janë duke bërë përgatitjet e duhura për privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica”, thonë zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë dhe të turizmit, thonë se privatizimi i kësaj qendre, do të gjallëron turizmin në Kosovë.


Agjencia Kosovare e Privatizimit ka filluar privatizimin e disa lokaleve të kompleksit turistik “Brezovica”, por jo tërë kompleksin.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se agjencia është duke bërë përgatitjet që brenda këtij viti, të privatizohet edhe kjo pikë turistike.

Ndërsa, shpjegon Kaloshi, në valën e fundit të privatizimit, në tender janë paraqitur tri ndërmarrje që gjenden në lokalitetet e banuara me shumicë serbe, konkretisht në komunën e Shtërpcës, ku gjendet edhe qendra turistike “Brezovica”.

“Sa i përket kompleksit turistik ‘Brezovica’, do të thotë objekteve qendrore, janë duke u bërë përgatitje të duhura dhe parashihet që privatizimi të bëhet gjatë këtij viti”.

“AKP-ja po punon ngushtë me zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, komunën dhe komunitetin e atjeshëm për të formuar një master-plan dhe për të pasur një privatizim të suksesshëm lidhur me këtë ndërmarrje për Kosovën”
, thotë Kaloshi.

Ndryshe, kjo pikë turistike për ekspertët e turizmit dhe të ekonomisë, vlerësohet sfidë për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe për institucionet tjera të Kosovës, për shkak se në atë rajon, shumica e banorëve janë nga komuniteti serb.

Safet Gërxhaliu, nënkryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se strukturat paralele në atë pjesë kanë zvarritur qe sa kohë procesin e privatizimit të kësaj qendre.

“Privatizimi i Brezovicës, për momentin ka më tepër rëndësi politike, sesa ekonomike, edhe pse nuk mund të anashkalohet rëndësia ekonomike e privatizimit”.

“E them këtë duke u bazuar në faktin se Brezovica dhe enklavat janë të politizuara deri në atë masë, sa në tetë vitet e kaluara, nën administrimin e UNMIK-ut dhe të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, pothuajse kanë qenë të paprekura”
, thekson Gërxhaliu.

Por, Ylli Kaloshi, thotë se janë evituar barrierat që kanë ekzistuar nga komuniteti serb, lidhur më procesin e privatizimit të këtij kompleksi.

Ai thotë se edhe banorët e Shtërpcës e përkrahin këtë proces, pasi, sipas tij, tashmë ata e kanë kuptuar se privatizimi është zgjidhja e vetme për ringjalljen dhe zhvillimin e turizmit.

“AKP-ja është në kontakt të vazhdueshëm me komunën, menaxhmentin e atjeshëm dhe mund të themi se ka një përkrahje gjithnjë e më të madhe si nga komuniteti serb, që banojnë dhe jetojnë atje, si nga komuna, ashtu edhe nga vetë punëtorët”
, shprehet Kaloshi.

Në anën tjetër, ekspertë të turizmit vlerësojnë se për shkak të mosprivatizimit, Brezovica ka mbetur pa investime që nga paslufta.

Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, thotë se ky kompleks është degraduar dhe nuk ka mundësi që të presë turistë.

Sipas tij, privatizimi sa më i shpejtë i kompleksit “Brezovica” gjallëron turizmin në Kosovë.

“Brezovica i takon të ashtuquajturit turizëm masiv; ne nuk e kemi infrastrukturën e rregulluar. Qendra e Brezovicës është vjetruar shumë, edhe hotelet janë tepër të vjetruara dhe nuk është bërë asnjë investim me dekada të tëra”.

“Pastaj, edhe komunikacioni në pistat e skijimit është tejet i pasigurt, do të thotë Brezovica momentalisht është jashtë funksionit, siç themi ne. Kështu që, para se të bëhet privatizimi, Brezovica nuk është e aftë të pranojë mysafirë dhe t’u shërbejë ashtu siç duhet
”, sqaron Çeku.

Brezovica është rajon turistik veror dhe dimëror që shtrihet në juglindje të Kosovës, më konkretisht në komunën e Shtërpcës, rreth 60 kilometra nga Prishtina.

Komuna e Shtërpcës është e njohur për qendrën e saj të skijimit dhe pushimeve verore në kompleksin e quajtur “Brezovica”, ku vetëm hapësira e skijimit vlerësohet se ka afër 2500 hektarë.

Kjo qendër vlerësohet si njëra ndër qendrat më të njohura dhe më të mëdha turistike dhe rekreative në Evropën juglindore.
XS
SM
MD
LG