Ndërlidhjet

Shkrirjet politike


Teuta Sahatçia, kryetare e Partisë Reformiste ORA
Teuta Sahatçia, kryetare e Partisë Reformiste ORA

Partitë politike në Kosovë vazhdojnë kontaktet në përpjekje të profilizimit dhe krijimit të koalicioneve parazgjedhore. Partia Reformiste Ora, vendosi t’i bashkohet në koalicion LDK-së. Ndërsa, po vazhdojnë bisedimet për krijimin e bllokut të djathtë dhe të majtë.


Ndonëse ende i paprofilizuar, spektri politik në Kosovë i është nënshtruar një lloj rikonfigurimi.

Tashmë janë shtuar ofertat e partive më të vogla drejtuar partive të mëdha për koalicione parazgjedhore, çka nuk ishte praktikë e fazave të mëhershme.

Partia Reformiste Ora, edhe zyrtarisht ka inicuar bashkimin e saj në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përderisa kësaj të fundit më herët i ishin adresuar edhe dy kërkesa tjera për koalicione nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë.

Kryetarja e Partisë Reformiste Ora, Teuta Sahatçija, ka thënë se partia e saj nuk do të shkrihet, por do të shkojë në koalicion me LDK-në.

“Ora po bashkohet me LDK-në. Po bëhet partner i përbashkët në atë rrugëtimin tonë politik. Këtu bëhet fjalë për bashkim të forcave, e bashkimi bën fuqinë”,
ka thënë Sahatçija.

Në LDK, të hënën nuk kishte ndonjë përgjigje në lidhje me ofertat që po vijnë nga subjektet tjera.

Këto lëvizje të disa partive politike drejt LDK-së, për partinë aktualisht më të madhe, Partinë Demokratike të Kosovës, janë krejt normale për një shoqëri demokratike.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se PDK-ja i sheh këto lëvizje si garë për partinë numër dy në Kosovë, pasi që beson se partitë që synojnë shkrirje apo koalicione parazgjedhore, janë para një krize të brendshme që nuk u garanton pjesëmarrje në institucione.

“I shohim si përpjekje dhe orvatje të njëpasnjëshme të disa subjekteve politike, të cilat e kanë humbur besimin tek elektorati dhe përmes këtyre lëvizjeve tentojnë që ta rikthejnë këtë besim dhe kredibilitetin e tyre politik”.

“Andaj, për ne nuk është asnjë alarm, ndoshta është një alarm për garën e të dytit, përndryshe sa i përket forcës numër një në vend, çdo gjë dihet”,
ka theksuar Stavileci.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka asnjë përgjigje nga LDK-ja lidhur me ofertën e saj për koalicion parazgjedhor.

Nisma e AAK-së konsiston në krijimin e së djathtës në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se fakti që LDK-së i janë afruar edhe partia Ora dhe LDD-ja, nuk e pengon AAK-në që ta shohë LDK-në si partnerin kryesor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Por, ai ka shprehur besim se duhet bërë dallimi midis tyre, kur bëhet fjalë për rritjen dhe rënien e këtyre partive politike gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.

“Një dallim i madh që ekziston, është fakti se nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, LDK-së i është ofruar një parti që është në rritje 100 për qind të votave, e po ashtu janë afruar edhe partitë tjera, të cilat kanë vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre, për të mos thënë në vazhdimin e tyre si parti në modelin siç janë
”, është shprehur Ramadani.

Ndërkohë, partitë e vogla kanë paralajmëruar nisma për uljen e pragut zgjedhor.

Kuota prej 5 për qind për të kaluar këtë prag dhe për të siguruar ulëse në Kuvend, për disa parti politike është parë si shumë e lartë.

Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë, ka thënë se ky prag duhet të ulet në mënyrë që të ruhet laramania politike në Kosovë edhe në kuadër të Parlamentit.

“Mendoj se, në radhë të parë, cungohet jeta politike e demokratike e vendit, e natyrisht se dëmtohen edhe partitë, siç është Partia e Drejtësisë, sepse e dimë që në Kosovë nuk kemi një ligj për financimin e partive politike
”, ka tthënë Agani.

Derisa partitë ekzistuese synojnë, qoftë krijimin e bllokut të djathtë e të majtë, apo të tjerat uljen e pragut zgjedhor, ditëve të fundit flitet edhe për mundësinë e krijimit të një force të re, e cila do të përfaqësonte qendrën politike.

Aktualisht, përfliten disa emra që do të mund të merrnin timonin e qendrës politike, në mesin e tyre dhe lideri i lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti.
XS
SM
MD
LG