Ndërlidhjet

KE: Shqipëria të zgjidhë krizën, ndryshe ndërhyjnë tjerët


Pamje në Tiranë
Pamje në Tiranë
Komiteti Presidencial i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u shpreh qartë për zgjidhje kushtetuese të situatës politike në Shqipëri.

Pas një të hëne të gjatë negociatash, delegacioni tha se doli në përfundimin se zgjidhja e krizës politike duhet të bazohet në principet, të cilat lexoi presidenti i Asamblesë, Mevlut Çavushoglu.

Ai foli për krijimin pa vonesa të mëtejshme të komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, i drejtuar nga përfaqësuesit e opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një mazhorancë efektive.

Çavushoglu foli për një komision hetimor që të përgatisë amendamentet për kodin elektoral në një linjë me rekomandimet e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe Rezolutën 1709.

Opozitës gjithashtu duhet t’i garantohet një ndarje e drejtë e kryesimit të komisioneve parlamentare. Për sa u takon termave të referencës së komisionit hetimor, delegacioni nënvizon se të dyja palët ranë dakord se duhet trajtuar brenda sistemit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Delegacioni konsideron se kjo është e mjaftueshme për të mundësuar një pjesëmarrje të përhershme të opozitës në punimet e Kuvendit.

Delegacioni i kërkoi opozitës ta bëjë këtë dhe pa vonesa të mëtjeshme.

Por, pika më e nxehtë e debatit, që mban ende peng marrëveshjen politike, lidhet me hapjen ose jo të kutive të votimet – një çështje për të cilën vetë delegacioni i Këshillit të Evropës e ka një zgjidhje, por pret që të jenë dy partitë e mëdha ato që të vendosin.

Presidenti i Asamblesë së Këshillit të Evropës, Mevlut Çavushoglu, kujtoi Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias si organizma që mund të bëjnë interpretimin kushtetues të saj.

“Pikësëpari, njerëzit duan t’i shohin partitë në Kuvend. Vendi i tyre është aty. Nëse ka mosmarrëveshje, ato duhet të zgjidhen sipas sistemit kushtetues”.

“Vendi ka një Gjykatë Kushtetuese dhe kemi disa mekanizma këshillues, siç është Komisioni i Venecias, që, nëse do të duhet, do t’i vëmë në funksion. Por, në këtë fazë, ne po presim një progres pozitiv, ndaj dhe nuk i përmendëm”
, tha Çavushoglu.

Mazhoranca e përshëndeti deklaratën. Kryeministri u shpreh i gatshëm për t’i plotësuar të gjitha pikat e deklaratës së delegacionit të Këshillit të Evropës.

“I bëj thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, i cili pati rastin, gjatë këtyre ditëve, të shohë vullnetin tim të qartë dhe të palëkundur për kompromise, koncesione të nevojshme, në mënyrë që opozita t’i zërë vendet në Parlament”
, tha kryeministri Berisha.

Opozita, nga na tjetër, nëpërmjet kreut të saj, Edi Rama, ripërsëriti qëndrimin për hapjen e kutive të votimit, si i vetmi kusht për rikthimin e opozitës në Kuvend.

“Pa hapjen e kutive, nuk ka zgjidhje të krizës dhe as rifillim të jetës normale parlamentare. Dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët se ne nuk tërhiqemi nga beteja jonë, për të mos lejuar institucionalizimin e regjimit të korrupsionit mbi zgjedhjet në Shqipëri”
, tha Rama.
XS
SM
MD
LG