Ndërlidhjet

Serbët pajisen me dokumente të Kosovës


Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica gjithnjë e më shumë po aplikojnë për dokumentet e lëshuara nga organet shtetërore të Kosovës. Një trend i tillë cilësohet si pozitiv nga organet komunale të Mitrovicës, ndërkohë që strukturat politike serbe nga veriu e gjykojnë si trend negativ dhe ftojnë sërish serbët që t’i refuzojnë dhe bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës.



Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të përfaqësuesve politikë serbë të Mitrovicës drejtuar qytetarëve të këtij komuniteti, që të mos aplikojnë për dokumentet e lëshuara nga organet shtetërore të Kosovës, është shtuar numri i atyre që pajisen dhe aplikojnë për këto dokumente.

Zëdhënësi në komunën e Mitrovicës, Hysni Syla, thotë se ka një trend në rritje të aplikimeve për dokumente personale nga ana e qytetarëve serbë, krahasuar me vitin e kaluar.

“Është një numër i caktuar që dëshmon se qytetarët serbë i kërkojnë dokumentet e Republikës së Kosovës. Rreth 300 dokumente të lëshuara tregojnë se ata nuk hezitojnë që të vijnë në komunë dhe t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme, të cilat atyre u duhen. Është fjala për certifikata të lindjes, të vdekjes, të shtetësisë e të tjera”, thotë Syla.

Përveç certifikatave e dokumenteve të tjera, statistikat tregojnë se është rritur edhe numri i aplikimeve për pasaporta dhe letërnjoftime të Kosovës.

Duke e parë trendin në rritje të aplikimeve për dokumentet e shtetit të Kosovës, organet paralele serbe nga veriu i Mitrovicës u kanë dërguar apel serbëve që t’i bojkotojnë dokumentet e Republikës së Kosovës.

“Paralajmërohen qytetarët serbë që mos t’i marrin dokumentet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, si: pasaporta, letërnjoftime apo patente shoferi, pasi që në këtë mënyrë ata indirekt e pranojnë këtë shtet të shpallur njëanshëm”, ka apeluar Ivica Markoviq, kryetar i komunës paralele të Mitrovicës.

Ndërkohë, njëri nga liderët politikë të serbëve të veriut, Marko Jakshiq, thotë se nëse serbët duan ta bojkotojnë shtetin e Kosovës, duhet t’i refuzojnë edhe dokumentet që i lëshojnë organet e tij.

“Serbët e Kosovës, nëse nuk duan të jetojnë në Kosovën e pavarur, nuk guxojnë të marrin kurrfarë dokumentesh të këtij shteti, sepse, në të kundërtën, ata e pranojnë këtë shtet fantom”, shprehet Jakshiq.

Sipas tij, nuk ia vlen që të aplikohet për këto dokumente, madje edhe nëse bëhet fjalë për ndihma sociale dhe arsye të tjera financiare.

Mirëpo, krejt ndryshe nga politikanët mendojnë qytetarët serbë. Ata thonë se pajisja me dokumente është e domosdoshme.

“Mua si serb nuk më pengon. Njerëzit duhet të pajisen së pari me letërnjoftim të Kosovës që t’i regjistrojnë makinat, t’i marrin pensionet dhe të përfshihen në programin social, për çka unë nuk i gjykoj aspak”, thotë qytetari Nikolla Jovanoviq nga Mitrovica.

Mendim të ngjashëm ka edhe një banore tjetër e këtij qyteti, Jellena Stamenkoviq.

“Me sa di unë, shumë shqiptarë marrin pasaporta të Serbisë, për shkak të liberalizimit të vizave, e po ashtu edhe serbët i marrin dokumentet e Kosovës. Unë i përkrah të dyja palët dhe i arsyetoj, sepse kjo ua lehtëson atyre mënyrën e jetesës”
, thotë Stamenkoviq.

Ajo i cilëson të paarsyeshme thirrjet e politikanëve që njerëzit të mos marrin dokumentet e shtetit të Kosovës, ngase pajisjen me dokumente e sheh në interes të secilit qytetar.

Serbët e Kosovës janë ballafaquar këto vite në vazhdimësi me trysnitë nga Serbia dhe organet e saj paralele për t’i bojkotuar institucionet vendase.

Përderisa në pjesën qendrore e lindore të Kosovës, komuniteti serb po lirohet ngadalë nga kjo trysni, strukturat paralele serbe vazhdojnë të jenë më të fuqishme në veri, ku edhe vërehet një ndikim më i madh i tyre te serbët lokalë.
XS
SM
MD
LG