Ndërlidhjet

Ku mbeti strategjia e zhvillimit ekonomik?


Fotografi ilustruese

Institucionet kompetente ende nuk kanë arritur që të përgatisin Strategjinë dhe Planin zhvillimor të Kosovës, që parasheh përmirësimin afatgjatë të ekonomisë së Kosovës. Njohës të çështjeve ekonomike thonë se mungesa e këtij dokumenti, po ndikon edhe në zvarritjen zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.



Autoritetet kompetente ende nuk kanë arritur që të përgatisin Strategjinë dhe Planin zhvillimor të Kosovës, me gjithë përpjekjet e herë pas hershme në këtë drejtim, thonë ekspertë kosovarë të çështjeve ekonomike.

Synimi parësor i kësaj strategjie është zhvillimi i gjithmbarshëm ekonomik, i bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike.

Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se mungesa e këtij dokumenti po ndikon që zhvillimi ekonomik të ndodhë në formën ad-hoc, pa pasur një synim të caktuar afatgjatë.

“Mungon një imazh, një strategji, një vizion afatgjatë për zhvillimin ekonomik. Dhe, si pasojë e kësaj kemi edhe mungesën e investitorëve të huaj, kemi ndoshta edhe orientimin e burimeve ekzistuese në lëmi të ndryshme ku nuk janë aq produktivë dhe ku Kosova ka një përparësi kooperative”
, thotë Musa.

Eksperti tjetër për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, pohon se institucionet kompetente përmes dokumenteve apo strategjive të ndryshme, duhet gjithsesi të definojnë disa pika orientuese, të cilat mund të nxisin zhvillimin ekonomik.

“Më fundamentale është që, në hap të parë, ajo të ketë plane hapësinore dhe këto plane hapësinore të jenë të koordinuara me planet dhe me strategjitë që kanë komunat”.

“Kurse, strategjia dhe fokuset që ajo i ka, të stimulohen përmes politikave fiskale apo përmes formave të financimit dhe lehtësimit për biznes. Përndryshe, është shumë pakuptim të thuhet se do të bëjmë një strategji”
, shprehet Rexhepi.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, tashmë ka miratuar kornizën afatmesme të shpenzimeve, në bazë të së cilës shpërndarja e mjeteve bazohet në prioritetet e përcaktuara nga Qeveria, ndërsa këto prioritete thuhet se rrjedhin nga puna e bërë në Strategjinë dhe Planin zhvillimor të Kosovës.

Por, eksperti Ibrahim Rexhepi thotë se strategjia nuk mund të zëvendësohet me këtë kornizë.

“Është një lloj zëvendësimi, por nuk mund të jetë strategji. Dihen rrethanat, në të cilën është punuar korniza afatmesme e shpenzimeve. Ajo është përpiluar shpejt dhe për nevojat e Konferencës së Donatorëve”.

“Pra, nuk është punuar për një periudhë të gjatë kohore, ku do të fokusonte edhe forma tjera të zhvillimit të Kosovës, të financimit, lehtësi fiskale e lehtësi biznesore në Kosovë”,
thekson Rexhepi.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës e deri më tani, autoritetet vendore dhe një grup ekspertësh ndërkombëtarë kanë bërë përpjekje që të hartojnë tri strategji të zhvillimit, por që të gjitha kanë dështuar.

Dështimin e këtyre dokumenteve, Lekë Musa e shpjegon në këtë mënyrë:

“Ky plan zhvillimor, i cili është nxjerrë nga ekspertët e huaj, në fakt ka qenë një dokument, që është marrë nga vendet tjera dhe është i pazbatueshëm për nevojat specifike të Kosovës”.

“Duhet të jetë një proces, i cili duhet të burojë nga baza, për ato fusha ku Kosova tregon se ka përparësi kooperative në krahasim me vendet e rajonit, por edhe më gjerë
”, shpjegon Musa.

Sidoqoftë, për hartimin e këtyre strategjive të dështuara, Qeveria e Kosovës është dashur të paguajë me qindra mijëra euro.

Ndërsa, vetëm për strategjinë e fundit janë shpenzuar 750 mijë euro.
XS
SM
MD
LG