Ndërlidhjet

Arsimimi i komunitetit serb


Prishtinë - Ministria e Arsimit
Prishtinë - Ministria e Arsimit

Komuniteti serb në Kosovë ende nuk është i përfshirë në sistemin e arsimit kosovar. Udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pohojnë se i kanë intensifikuar përpjekjet për integrim të këtij komuniteti nën ombrellën e kësaj ministrie. Ekspertë të arsimit thonë se ky është problem politik, i dirigjuar nga Beogradi zyrtar.



Autoritetet kompetente janë duke bërë përpjekje maksimale që pjesëtarët e komunitetit serb, në lokalitetet ku përbëjnë shumicën, të integrohen në institucionet arsimore të Kosovës, thotë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.

Këto përpjekje, thekson ai, janë intensifikuar posaçërisht në komunat serbe, ku janë mbajtur zgjedhjet lokale, vitin e kaluar. Ministri Hoxhaj thotë se Ministria e Arsimit tashmë ka formuar një komision, i cili do të merret me këtë çështje.

“Mjerisht, Republika e Kosovës karakterizohet me një sistem arsimor, ku komuniteti serb nuk është pjesë e tij. Prandaj, edhe komisioni për shikimin e korikulumit bën përpjekje maksimale, që gradualisht të ketë një integrim të mirëfilltë të shkollave në gjuhën serbe në sistemin tonë arsimor”.

“Unë pres që me zgjedhjet lokale, që u mbajtën vitin e kaluar, të kemi bashkëpunim më të mirë me kryetarë të komunave dhe kjo të përmirësojë edhe gjendjen e shkollave
”, thotë ministri Hoxhaj.

Nxënësit e komunitetit serb, që vijojnë mësimet në enklavat serbe, edhe më tej mësojnë me plan-program të Qeverisë së Serbisë. Po ashtu, edhe mësimdhënësit e tyre vazhdojnë të paguhen nga Beogradi zyrtar.

Një çështje të tillë, ekspertë të arsimit e shohin si problem politik. Sipas tyre, kjo ka të bëjë më tepër me mospranimin e autoritetit të Qeverisë së Kosovës nga ana e komunitetit serb, sesa me ndonjë gjë tjetër praktike.

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës, thotë se do të jetë e vështirë përfshirja e komunitetit serb nën ombrellën e institucioneve kosovare, përderisa ky komunitet, sipas tij, do të vazhdojë ta konsiderojë veten si pjesë të Serbisë.

Kjo neglizhencë e institucioneve kosovare nga ana e serbëve lokalë, Pupovci thotë se u shkakton dëme vetë atyre.

“Kjo më së shumti do t’i shkaktojë dëme vetë atij komuniteti, sepse do të ketë vështirësi për të vazhduar shkollimin në Kosovë, do të ketë vështirësi për t’u punësuar në Kosovë. E tëra do të përfundojë me largimin gradual të këtij komuniteti nga Kosova, që besoj se as vetë Serbia nuk e dëshiron”, thotë Pupovci.

Në anën tjetër, Fondi për të Drejtat Humanitare në Prishtinë, kohë më parë, ka bërë një hulumtim në enklavat serbe, lidhur me interesimin e tyre për t’u integruar në institucionet kosovare, e posaçërisht në ato të arsimit. Në bazë të këtij hulumtimi, Bekim Blakaj, nga ky fond, thotë se komuniteti serb ende heziton të përfshihet në sistemin e arsimit të Kosovës.

“Ata (punonjësit e arsimit nëpër enklava), një kohë kanë marrë dy paga: pagë nga buxheti i Kosovës dhe nga ai i Serbisë. Por, pagat më të larta i kanë marrë nga ana e Serbisë. Më vonë janë kushtëzuar që të marrin vetëm një pagë. Ata sigurisht që kanë rënë dakord që të marrin pagën nga Qeveria e Serbisë“, thotë Blakaj.

Lidhur me këtë, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, shprehet:

“Qëllimi jonë është që ta tejkalojmë këtë gjendje, prandaj edhe korikula e re do të krijojë një bazë të re, që të gjitha këto shkolla të fillojnë të integrohen jo vetëm në sistemin tonë të pagave, por edhe në programet e njëjta të përbashkëta, pasi është vështirë që nxënësit në një vend ndahen me plan-programe, ndahen me tekste shkollore dhe krijojnë vizione të ndryshme, e shumë herë edhe të kundërta, për të tashmen dhe të ardhmen e vendit".

Ndryshe, Dukagjin Pupovci thotë se Qeveria e Serbisë po inkurajon serbët që të largohen nga institucionet kosovare, gjë kjo që, sipas tij, po pengon edhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.
XS
SM
MD
LG