Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është kushtëzim, por domosdoshmëri për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, tha sot në Prishtinë ministri i Jashtëm i Francës, Bernar Kushner.
Gjatë një seance solemne të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për nder të ministrit francez, Kushner tha se Serbia dhe Kosova duhet të nisin pajtimin dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet. Ai tha se ky do të jetë një proces i gjatë dhe jo i lehtë, por inkurajoi të dyja vendet që të nisin procesin e dialogut.
“Pajtimi është i mundshëm, pavarësisht nga vuajtjet e së kaluarës”, tha Kushner.
“Nuk ka kushtëzime për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, por dialogu është domosdoshmëri. Unë nuk e di datën, por e di se një ditë, Kosova dhe Serbia do t’i marrin vendet e tyre si dy shtete në Bashkimin Evropian”, theksoi Kushner.
Popujt e Ballkanit e duan Evropën dhe kandidaturat e tyre do të shqyrtohen, tha Kushner, duke bërë të qartë se një prej domosdoshmërive, siç e quajti ai, për këtë integrim, do të jetë edhe roli që këto vende do të luajnë në fqinjësi.
Ndërsa apeloi për dialog, Kushner përsëriti qëndrimin e prerë të Parisit se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
“Pavarësia e Kosovës nuk është më në pikëpyetje. Kjo është çështje e kryer dhe lëvizje e historisë, e cila nuk mund të ndryshohet më me asgjë”, tha Kushner.
Me pavarësimin e Kosovës, shtoi ai, ka përfunduar një punë e madhe, por ajo paraqet edhe fillimin e një rruge të re, në të cilën, siç u shpreh Kushner, Kosova nuk do të jetë e vetmuar, duke i premtuar edhe mbështetjen e Francës.
“Keni besuar në një shoqëri demokratike e shumetnike, kurse tani duhet ta ndërtoni këtë shoqëri”, theksoi ministri francez.
Ai e çmoi lart gatishmërinë e kosovarëve që, përkundër shumë sakrificave, dhimbjeve e vuajtjeve që u ka sjellë lufta për liri, tani janë të gatshëm që të nisin procesin e pajtimit.
Si edhe shumë zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën, edhe Kushner apeloi për reforma në sistemin e drejtësisë dhe më shumë angazhime në luftimin e korrupsionit.
Pa një sistem të pavarur e efikas të drejtësisë dhe një administratë të zhvilluar, Kushner tha se shteti e humb kuptimin që ka.
Kushner, më pas, zhvilloi dhe takime të ndara me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu falënderoi Francën për rolin pozitiv në raport me zhvillimet në Kosovë.
“Shpreha falënderimin e madh për shtetin e Francës, presidentin Sarkozi dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, edhe në rastin e njohjes së Kosovës ndër të parat, por edhe në të gjitha proceset e mëtutjeshme”.
“Shpreh konsideratat më të larta për përkushtimin që solli edhe një herë Franca, një aleat i rëndësishëm dhe i vazhdueshëm në zhvillimet tona, për paqen, demokracinë dhe për raportet e mira mes shteteve sovrane”, tha Sejdiu.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, siguroi Kushnerin për zotimin e institucioneve dhe të shoqërisë kosovare që, përkundër plagëve të luftës, shoqëria kosovare është e gatshme për pajtim ndëretnik.
“Përkushtimi ynë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë ka dëshmuar se në Kosovë, jo vetëm që mund të bashkëjetohet, por edhe të nisë procesi i pajtimit ndëretnik, pavarësisht së kaluarës konfliktuoze. Prioriteti ynë strategjik mbetet integrimi ynë evropian dhe euroatlantik”, u shpreh Krasniqi.
Kushner zhvilloi takime edhe me kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Po ashtu, ai pritet të realizojë takime edhe me përfaqësuesit e pranisë civile ndërkombëtare, si dhe me ata të komunitetit serb.