Nga dita kur Kosova dhe Serbia do të bëhen pjesë të Bashkimit Evropian, do të hapet një perspektivë e re për popujt që jetojnë në këto dy vende, tha ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner.
Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, Kushner vizitoi komunën e re të Graçanicës, të banuar me shumicë serbe.
Ngjashëm me mesazhet dhe apelet e bëra në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, edhe sot Kushner iu drejtua autoriteteve lokale serbe të Graçanicës me mesazhet se normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta lehtësonte rrugën jo të lehtë të këtyre dy vendeve për në Bashkimin Evropian.
“Që një vend të hyjë në Evropë, duhet ta ketë edhe pëlqimin e 27 vendeve anëtare”, tha ministri i Jashtëm francez. Kështu që Kosova dhe Serbia së pari e kanë të domosdoshme të dialogojnë, tha ai.
Ky dialog, sipas Kushnerit, nuk ka kushtëzime, por kërkohet që të dyja vendet të bashkëpunojnë në të mirën e integrimit të tyre dhe të rajonit në BE.
Më pas, ai foli edhe për rëndësinë e integrimit të komunitetit serb në kuadër të institucioneve dhe shoqërisë kosovare.
“Serbët e Kosovës duhet të jenë qytetarë të barabartë dhe të integruar, si të gjithë të tjerët, pa diskriminime”, tha ministri Kushner.
“Herën e fundit kur isha në Graçanicë, serbët e kishin të vështirë të udhëtonin lirshëm, kurse tani është më mirë, edhe pse ende nuk është gjendje e kënaqshme”, tha ai.
Kushner ua premtoi autoriteteve lokale, të sapozgjedhura atje, ndihmën e Qeverisë franceze, sidomos për çështje që ndërlidhen me shëndetësinë.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq, tha se kishte njoftuar ministrin francez me punën dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet kjo komunë e re e sapoformuar.
“E kam njoftuar me shumë vështirësi, me të cilat po ballafaqohemi. Kushner është njohës i mirë i rrethanave në Kosovë dhe nga ai kemi marrë premtime për angazhimin e tij personal për të ndihmuar Graçanicën”.
“Po ashtu presim që edhe Qeveria e Kosovës të bëjë më shumë përpjekje, që t’u dalë në ndihmë serbëve të pjesës qendrore të Kosovës”, tha Stojanoviq.
Kushner takoi edhe Rada Trajkoviqin nga Këshilli Nacional Serb. Trajkoviq tha se theksi i bisedës ishte i përqendruar në pajtimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
“I kam thënë ministrit Kushner se kam përshtypjen që populli është mbi politikanët dhe se çdo ditë që kalon, ka më pak incidente ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Por, janë politikanët ata, të cilët nuk e kanë guximin që të fillojnë të bisedojnë për normalizimin e jetës”, u shpreh Trajkoviq.
Ndërsa Kushner, sipas saj, i ka premtuar se ai do të angazhohet që një normalizim serbo-shqiptar të iniciohet edhe në kuadër të bisedimeve të mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ministri i Jashtëm francez, gjatë dy ditëve të qëndrimit në Kosovë, është pritur nga përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Kosovës, si dhe ata të pranisë ndërkombëtare. Para Prishtinës, ai ka qëndruar edhe në Beograd, ku po ashtu ka apeluar që të nisë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.
