Ndërlidhjet

Përplasje rreth strategjisë së veriut


Mitrovicë
Mitrovicë

Opozita në Prishtinë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për anashkalimin e mekanizmave ligjorë për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut. Kjo strategji, sipas opozitës, po i shërben Qeverisë së Kosovës vetëm për blerje kohe në lidhje me shtrirjen e kushtetutshmërisë në veri të Kosovës.

Mirëpo, me këto konstatime nuk pajtohet ekzekutivi. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, tha se përfaqësues të opozitës mund të jenë të painformuar, pasi që, sipas tij, Qeveria e ka ftuar edhe opozitën të jetë pjesë zbatuese e këtij plani për veriun.

“Ne u kemi bërë ftesë që të jenë pjesë edhe e grupeve punuese, duke pasur parasysh se kjo është një çështje e rëndësisë së veçantë dhe e interesit të përbashkët. Shpresojmë se do të jenë pjesë e grupeve punuese bashkë edhe me pjesëtarët e Qeverisë, ekspertë të shoqërisë civile dhe përfaqësues ndërkombëtarë”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kritikoi presidentin dhe kryeministrin e Kosovës për anashkalimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me strategjinë dhe emërimin e koordinatorit për zbatimin e saj.

Ramadani tha se me emërimin e personave që nuk janë pjesë e institucioneve për zbatimin e strategjisë, Qeveria ka dashur t’i ikë përgjegjësisë për dështimet eventuale.

“AAK-ja kërkon nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës që të mbledhin menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe që ky këshill të marrë përsipër zbatimin e strategjisë për veriun e Kosovës”.

“Së dyti, kërkojmë të hartohet menjëherë plani i veprimit me afate të qarta kohore dhe me veprime të qarta që duhet të ndërmerren për zbatimin e strategjisë për veriun”
, theksoi Ramadani.

Ngecjet në shtrirjen e pushtetit vendor në pjesën veriore vlerësohet se mund të rezultojnë me fuqizimin e rolit të Beogradit në këtë çështje.

Ndërsa shtohen thirrjet e qarqeve diplomatike ndërkombëtare që Prishtina e Beogradi t’i nisin bisedimet për relaksim marrëdhëniesh ndërfqinjësore, Burim Ramadani tha se vetëm shtrirja e pushtetit legjitim dhe integrimi i veriut do ta parandalonin çdo formë të përzierjes së Beogradit në këtë çështje.

“Strategjia duhet të vendoset brenda Këshillit të Sigurisë, kurse ky këshill ta marrë përsipër zbatimin e saj. Kështu, ne parandalojmë çfarëdo lloj mundësie të dialogut që është i panevojshëm për veriun e Kosovës”.

“Pra, nuk ka nevojë për dialog për zbatimin e ligjit në Kosovë dhe për këtë është kompetent Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe jo forma të tjera jashtinstitucionale”
, tha Ramadani.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, e përjashtoi çdo mundësi që Beogradi të përfshihet në çështjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.

Ndonëse Serbia ka më gjatë se dhjetë vjet që ka ngritur strukturat e veta paralele në këtë pjesë, Krasniqi tha se beson që Qeveria dhe faktorët prezentë ndërkombëtarë mund t’i zgjidhin problemet në veri, pa pasur nevojë për përfshirjen e Serbisë.

“Kemi shprehur gjithmonë gatishmërinë tonë për të diskutuar për çështje të karakterit teknik, por normalisht në momentin kur në Serbi do të vetëdijesohen edhe formalisht për realitetin e ri politik në Kosovë dhe për pavarësinë e Kosovës, sepse qesharake është që dikush të bijë në grackë të këtyre mendimeve, se mund të ketë negociata për statusin e Kosovës edhe një herë”
, deklaroi Krasniqi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka thirrur një seancë për datën 4 mars, ku do të ftohet Qeveria për të diskutuar çështjen e zbatueshmërisë së Kushtetutës në pjesën veriore.

Bazuar në atë që është prezantuar deri më tani, strategjia për veriun është e ndarë në katër shtylla kryesore, siç janë: kontrolli i plotë i doganave dhe funksionimi i gjykatave, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pastaj themelimi i komunës së Mitrovicës së veriut dhe në shtyllën e katërt bën pjesë zhvillimi ekonomik.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG