Debati në lidhje me zbatimin e Kushtetutës dhe praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, ka ndarë sërish pozitën dhe opozitën në pikëpamje të ndryshme, lidhur me masat që duhen ndërmarrë për kthimin e normalitetit në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
Përderisa Qeveria dhe partia shumicë në Kuvend janë mbështetur në strategjinë për integrimin e veriut, si dokument që besohet se do të sjellë normalitetin në veri, opozita ka kërkuar që Kuvendi ta obligojë Qeverinë për disa hapa shtesë atje.
Propozuesi i kësaj pike të rendit të ditës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, tha se tash është momenti kur institucionet e Kosovës duhet ta thonë fjalën e tyre në lidhje me zbatimin e Kushtetutës në gjithë territorin e vendit.
“Kosova po zvogëlohet nga aspekti territorial. Në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës, shteti ynë fqinj ushtron të vetmin rol të pushtetit në Kosovë, me praninë e të gjitha dikastereve të Qeverisë së Serbisë”, tha Daci.
Deputeti Nexhat Daci tha se mbajtja e pakontrolluar e kufirit në veri dhe funksionimi i strukturave paralele po i kushtojnë miliona euro buxhetit të Kosovës.
Në emër të Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi prezantoi planet e parapara për shtrirjen e pushtetit në veri, përmes zbatimit të strategjisë për integrimin e kësaj pjese.
Ai e siguroi Kuvendin se Qeveria është e gatshme t’i japë fund, siç tha kryeministri, kaosit 10-vjeçar në veri. Thaçi përjashtoi përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve ekzistuese në veri, kurse mbështeti një shtrirje edhe më të gjerë të pranisë ndërkombëtare atje.
“Si kryeministër i Kosovës, dua të theksoj se Qeveria është përfundimisht e vendosur për shtrirje institucionale dhe kujdes institucional në veri”.
“Strategjia për veriun është e bazuar në katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të ligjit, decentralizimi apo reformimi i pushtetit lokal dhe themelimi i komunës së Mitrovicës së veriut, adresimi i qeverisjes në tri komunat e veriut, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, dhe përmirësimi i situatës socio-ekonomike në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.
Parashtruesi i kërkesës për debat, LDD-ja, kërkoi dhe miratimin e një rezolute, me të cilën do t’i kërkohej Qeverisë dhe institucioneve tjera relevante të zbatojnë Kushtetutën në gjithë territorin e Kosovës dhe të pamundësojnë funksionimin e mëtutjeshëm të strukturave të pushtetit të Serbisë në Kosovë.
Ky propozim nuk u mbështet nga partia më e madhe në Kuvend - Partia Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, tha se rezolutat e tilla nxirren në rrethana të jashtëzakonshme, të cilat për momentin nuk janë të tilla. Andaj, në vend të rezolutës, Buja propozoi të miratohet një deklaratë e përbashkët.
“Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe të gjitha institucionet i obligon në rend të parë Kushtetuta. Një rezolutë që do të riobligonte, kemi vlerësuar se nuk është mjaft e nevojshme”.
“Një rezolutë e tillë nxirret në rrethana të jashtëzakonshme. Besoj se jemi të gjithë të bindur se rrethanat nuk janë më të mirat të mundshme, por nuk janë të jashtëzakonshme”, tha Buja.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, propozoi që Kuvendi, megjithatë, t’i kërkojë Qeverisë që në planet e veta për veriun, të përfshijë parimet e Planit të Ahtisarit, në mënyrë që kjo pjesë të mos shkojë kah autonomia territoriale.
“Ne propozojmë që Kuvendi të kërkojë nga Qeveria hartimin e dokumentit, që përfshin parimin kryesor, i cili tash është obligim kushtetues. Parimi i Pakos së presidentit Ahtisari është formula e vetme reale, e cila e ruan Kosovën që të mos shkelë vijën e kuqe dhe të mos rrëshqasë në atë që quhet autonomi territoriale”, theksoi Haziri.
Qasja e Qeverisë në raport me Kuvendin, lidhur me hapat që pritet të ndërmerren në veri, është kritikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ardian Gjini, tha se të vetmit që nuk e kanë në duar strategjinë e veriut, janë deputetët.
“Nuk ka institucion ndërkombëtar që nuk e ka strategjinë. Nuk ka as struktura paralele në veri të Kosovës që nuk e kanë strategjinë. A e dini kush nuk e ka strategjinë? Vetëm Kuvendi i Kosovës nuk e ka strategjinë, vetëm deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë strategjinë. A ju vjen inat juve?”, u shpreh Gjini.
Një qasje edhe më kritike ndaj hapave të Qeverisë në veri shprehu Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re. Ai tha se strukturat e Serbisë në veri nuk mund të quhen madje as paralele, pasi që janë strukturat e vetme, ngase në atë pjesë nuk ka pushtet të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, në kohën kur çështjet e veriut të Kosovës diskutoheshin në kancelaritë e ndryshme botërore, përpiqej t’i minimizonte, madje edhe duke i kritikuar zërat kritikë që kërkonin vendosjen e rendit dhe të ligjit në atë pjesë, duke i cilësuar si thirrje për dhunë”, deklaroi Makolli.
Debati po i vazhdon punimet.