Xhemshit Xhemshiti, nga fshati Bregu i Zi, komuna e Lipjanit, që 26 vjet punon si profesor i lëndës së kimisë, në fshatin Ruboc, po ashtu në komunën e Lipjanit.
Në Ditën e Mësuesit, që shënohet për nder të mësimdhënësve, Xhemshiti tregon për kushtet e vështira, me të cilat përballen shumica e mësimdhënësve kosovarë.
Me pagën prej 250 eurosh në muaj, ai duhet të sigurojë kushtet për shtatë anëtarët e familjes së tij. Kjo shumë e parave, e pamjaftueshme për të, e ka bërë jo rrallë herë të ndihet keq përballë kërkesave të fëmijëve.
“Të gjitha këto festa që na presin, me të vërtetë janë festa të mira, të bukura, që duhet t’i festojnë arsimtarët, mirëpo është një numër i arsimtarëve që nuk mund t’i mbajnë dhe nuk përjetojnë atë gëzimin e madh, për shkak të kushteve që kanë. Duhet të mendojnë diçka tjetër për të siguruar kushtet e familjes”, shprehet Xhemshiti.
Ai thotë se është i detyruar të punojë edhe punë të tjera për të plotësuar nevojat e familjes. Xhemshiti shpresat i sheh në punimin e tokës.
“Unë, me këto mjete, duhet t’i mbuloj shpenzimet e familjes, mirëpo këto mjete nuk më mjaftojnë. Për këtë, duhet të gjej burime të tjera. Pasi të përfundoj orarin e punës, tashmë është koha e pranverës, duhet të përgatitem që t’i rrekem bujqësisë, të punoj arën, të mbjell grurin, të përgatitem për mbjelljet pranverore. Dhe kështu, të siguroj ekzistencën, ushqimin...”, thotë Xhemshiti.
Në Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë thonë se, me gjithë ca përmirësime në sistemin e arsimit, pozita e 32 mijë mësimdhënësve kosovarë vazhdon të mbetet e rëndë.
Kryetari Ali Shabani thotë se sindikata, disa herë, ka shqyrtuar gjendjen materiale të punëtorëve të arsimit parauniversitar. Madje, shton ai, janë mbajtur edhe disa greva për të kërkuar rritje të pagave për këtë sektor.
“Pozita e arsimtarëve, dita-ditës, po përmirësohet, jo aq sa kemi pritur, por kërkesat gradualisht po realizohen, një rritje graduale, një përkujdesje për arsimtarin ekziston”, thotë Shabani.
Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pohojnë përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për përmirësimin e pozitës së punëtorëve të arsimit, kushteve të punës dhe cilësisë së punës në procesin e mësimor.
Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, premton se mësimdhënësit kosovarë do të kenë vazhdimisht përkrahje nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Për ne është më se e rëndësishme që, krahas përgatitjeve dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve, të ketë edhe mbështetje financiare. Mësimdhënësit kanë qenë kategoria që fillimisht është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe do ta ketë një mbështetje të përhershme”, thekson Hoxhaj.
Ndryshe, 7 Marsi, Dita e Mësuesit, është festë kombëtare e arsimit shqip, që festohet për të kujtuar shkollat e para shqipe.