Ndërlidhjet

Pahor: S’janë tejkaluar problemet e konferencës rajonale


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë konferencës për media me homologun e tij slloven, Borut Pahor. Prishtinë, 8 mars 2010.

Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, diskutoi me kryeministrin Hashim Thaçi problemet ekzistuese lidhur me organizimin e konferencës së liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Bërdo afër Kranjit. Pahor tha se mbetet problematike çështja e prezantimit të shteteve, simboleve dhe nxjerrjes së deklaratës së përbashkët.


Nuk janë tejkaluar ende mosmarrëveshjet në lidhje me organizimin e konferencës së liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Bërdo afër Kranjit, deklaroi në Prishtinë, kryeministri slloven, Borut Pahor.

Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Pahor tha se do të dëshironte që në Kranj t’i shihte në një konferencë, bashkë me liderët tjerë të Ballkanit, edhe presidentin serb, Boris Tadiq, si dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, për shkak të kundërshtimeve serbe, ai tha se mbetet ende problematike përfaqësimi i shteteve, simboleve, por edhe i nxjerrjes së deklaratës së përbashkët.

“Nuk mund të them në këtë moment se të gjitha problemet për organizmin e suksesshëm të konferencës janë zgjidhur”, tha kryeministri slloven.

Ai shtoi se do t'i vazhdojë përpjekjet diplomatike që t'i zgjidhë të gjitha problemet ekzistuese, në mënyrë që të gjithë liderët e Ballkanit të jenë në konferencë përballë liderëve evropianë.

“Ky nuk është problemi i vetëm që e kemi, pasi që ka edhe probleme të tjera. Imagjinoni që në fund të konferencës ne do të donim ta miratonim një deklaratë të përbashkët për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”
, tha Pahor, duke shtruar dilemën se çfarë pune e pret diplomacinë që të nxirret një deklaratë e pranueshme për të gjithë.

Sidoqoftë, ai u shpreh optimist se konferenca do të jetë e suksesshme dhe historike.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi nuk sqaroi nëse ka paraqitur ndonjë pozicion të prerë të Kosovës lidhur me pjesëmarrjen e saj si shtet i barabartë në këtë konferencë, por i konfirmoi homologut të tij gatishmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e të gjitha nismave dhe konferencave rajonale.
XS
SM
MD
LG