Ndërlidhjet

Konsorciumet joatraktive


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ofertat e investitorëve të huaj për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” nuk janë të përshtatshme dhe atraktive për realizimin e këtij projekti, thonë ekspertë për çështje të energjisë si dhe përfaqësues të Komisionit Parlamentar për Energjetikë.



Katër ofertuesit e kualifikuar për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re” nuk përshtaten dhe nuk janë atraktivë për zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë, thonë ekspertë të energjisë dhe anëtarë të Komisionit Parlamentar për Energjetikë.

Konsorciumi Adani Power / PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid / Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC/ Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania, janë ofertuesit e kualifikuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

Nëse merret parasysh përvoja e këtyre kompanive në sektorin energjetik dhe aspekti financiar i tyre, që të gjitha bashkë nuk kanë qarkullim vjetor vetëm sa një kompani që ka qenë në garë herën e parë për këtë projekt, thotë Ethem Çeku, ekspert i energjetikës.

Çeku vlerëson se do të jetë sfidë shumë e madhe mundësia e realizimit të 500 megavateve nga këto kompani.

“Këtu kemi një degradim dhe rënie të kompanive konkurruese në krahasim me kompanitë që ishin në garë. Më duket se ky komitet drejtues nuk ka arritur të ruajë politika të mençura, nuk ka arritur të ruajë strukturën e projektit, nuk ka arritur t’i bëjë me kohë hapat e duhur dhe ka sjellë në pikëpyetje zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ka sjellë në një pikëpyetje të madhe të ardhmen e sektorit energjetik të Kosovës”
, deklaron Çeku.

Edhe Myzejene Selmani, kryetare e Komisionit Parlamentar për Energjetikë, thotë se oferta e investitorëve nuk është atraktive për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

“Të gjitha kompanitë prestigjioze që kanë qenë të kualifikuara për ndërtimin e termocentralit, kanë qenë kompani që kanë prezantuar çështjen edhe të financave, edhe të njohjes me problemin e linjitit. Ndërsa, për këto katër konsorciume që janë tani, absolutisht nuk ka asnjë informacion se a do të jenë serioze për ndërtimin e termocentralit
”, thotë Selmani.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që ka pasur shprehje të interesit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”. Udhëheqës të komitetit drejtues për realizimin e këtij projekti janë shprehur të kënaqur me interesimin e kompanive në raundin e dytë, duke thënë se projekti nuk do të dështojë dhe se njëra nga këto kompani do të jetë fituese.

Por, ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, i cili ka ushtruar këtë detyrë në kohën kur është përgatitur projekti dhe kur është bërë kualifikimi i parë i kompanive për ndërtimin e termocentralit, thotë se shtyrja e projektit ka ndikuar në zbehjen e imazhit të Kosovës, karshi investitorëve ndërkombëtarë.

Ai thotë se në raundin e parë kanë marrë pjesë 11 kompani në garë, ndërsa janë kualifikuar gjashtë prej tyre.

“Janë larguar kompanitë më prestigjioze në nivel botëror. Me këto kompani janë larguar edhe bankat më prestigjioze, të cilat kanë qenë garantuese. Ky është gabim fatal, gabim i rëndë që është bërë për ekonominë e Kosovës dhe për të dërguar mesazhe të këqija se Kosova nuk është një vend i gatshëm për investime nga investitorët e huaj”, shprehet Çeku.

Sido që të jetë, sipas drejtuesve të komitetit, në muajin korrik do të përzgjidhet kompania fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, ndërsa ndërtimi i tij pritet të fillojë në vitin e ardhshëm.

Kostoja e ndërtimit llogaritet të shkojë deri në një miliard euro, shumë kjo që do të bashkëfinancohet nga Qeveria dhe kompania fituese.
XS
SM
MD
LG