Ndërlidhjet

Në Slloveni, vetëm si shtet


Pamje në Prishtinë

Kosova, ose do të përfaqësohet si shtet, ose nuk do të shkojë fare në konferencën rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, thonë zyrtarët në Prishtinë. Sipas tyre, i takon Sllovenisë që t’i tejkalojë mosmarrëveshjet me Serbinë.






Kosova duhet dhe do të përfaqësohet si shtet në konferencën e liderëve të rajonit, që pritet të mbahet më 20 mars, në Bërdo afër Kranjit, thonë zyrtarët në Prishtinë.

Sipas tyre, i takon organizatorit, në këtë rast Sllovenisë, që t’i tejkalojë mosmarrëveshjet me Serbinë, pas kundërshtimeve të këtij vendi lidhur me praninë e Kosovës si shtet i barabartë i rajonit në këtë konferencë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se nuk mund t’u shtojë shumë deklaratave që një ditë më herët i ka paraqitur kryeministri i Kosovës dhe ai i Sllovenisë, se diplomacia vazhdon në zgjidhjen e problemeve rreth organizimit të konferencës rajonale.

Por, sidoqoftë, ai thotë se Kosova do të jetë atje vetëm si shtet i barabartë me vendet tjera.

“Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e qartë në deklarimet e mëhershme, si edhe kryeministri personalisht, dhe në çdo rast Kosova do të përfaqësohet si shtet”, thekson Krasniqi.

Ndërkohë, opozita dhe analistët inkurajojnë institucionet, në këtë rast Qeverinë, që përfaqësimi i Kosovës jashtë të jetë i karakterit dhe nivelit të barabartë me të gjitha vendet tjera.

Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se që nga shpallja e pavarësisë e këndej, Kosova nuk ka pse të hezitojë lidhur me përfaqësimin e saj.

Ajo është shtet i pavarur dhe si e tillë duhet të përfaqësohet në çdo takim, thekson Arifi.

“Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj. Kosova nuk ka vetëm liderë politikë, por ka institucione. Shtetet që e ftojnë Kosovën, duhet ta dinë se duhet të ftojnë kryetarin e shtetit apo kryeministrin e Kosovës”.

“Të gjitha teknikat që janë përdorur për ta evituar këtë titull, duhet të perëndojnë, apo, në të kundërtën, Kosova duhet të mos marrë pjesë fare në konferenca të tilla”
, thotë Arifi.

Arifi thotë se, pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë, Kosova nuk duhet të shërbejë për ndryshimin e agjendave të konferencave rajonale.

Ndërkaq, analisti Ramush Tahiri thotë se i takon Sllovenisë që t’i zgjidhë problemet organizative. Në të kundërtën, nëse Kosova do të prezantohej ndryshe nga vendet tjera, Tahiri beson se ndoshta kjo do t’ia pamundësonte asaj pjesëmarrjen në këtë konferencë.

“Kosova do të përfaqësohet si shtet. Serbia dëshiron që Kosova të jetë në kuadër të delegacionit të UNMIK-ut, mirëpo UNMIK-u nuk ka ingerenca. Kosova mund të mos shkojë fare dhe Bashkimi Evropian, apo në këtë rast Sllovenia, do të ishte e interesuar për Serbinë dhe mundet që në këtë fazë të shkojë vetëm Serbia”, thekson Tahiri.

Gjatë një vizite të shkurtër në Kosovë, kryeministri slloven, Borut Pahor, ka deklaruar se ende nuk janë tejkaluar problemet në lidhje me këtë konferencë, ku ai ka veçuar si problematike çështjen e përdorimit të emrave të shteteve, sidomos të Kosovës, pas kundërshtimeve të Serbisë, përdorimit të simboleve shtetërore dhe miratimit të një deklarate të përbashkët, e cila do të tregonte orientimin pro-evropian të Ballkanit Perëndimor.

Konferenca në Bërdo afër Kranjit, sipas organizatorit, ka për qëllim të tregojë perspektivën evropiane të këtij rajoni dhe zotimin e liderëve se do të bashkëpunojnë në të mirën dhe mbarëvajtjen e këtij procesi.

Komentet (2)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG