Ende pa u mbushur një vit nga anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore, Kosova ka fituar kredinë e parë nga ky institucion, në vlerë mbi 20 milionë dollarë.
Kjo kredi do të shfrytëzohet për financimin e projekteve për modernizim të sektorit publik dhe për regjistrim të pasurisë së patundshme e kadastër.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të ndikojë drejtpërdrejtë në ngritjen e mëtutjeshme të institucioneve dhe forcimin e tyre në shërbimet që ofrojnë.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një dëshmi se shteti i Kosovës po arrin pjekurinë dhe qëndrueshmërinë e vet në rrugën e mëtutjeshme të zhvillimit”.
“Kam besim të plotë se Republika e Kosovës do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare financiare në këtë rrugëtim”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Nayak, ndërkaq ka thënë se kjo marrëveshje vendos bashkëpunimin në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore për dy vitet e ardhshme.
Kjo marrëveshje, sipas tij, përfshin përkrahje financiare, teknike dhe analitike.
“Sot do të nënshkruajmë dy marrëveshje, njëra është për regjistrimin e pronave të patundshme dhe kadastrës”.
“Ky është një projekt me vlerë prej 12.3 milionë dollarësh, nga të cilat 6.74 milionë janë kredi pa kamatë. Pra, është me 0 për qind interes dhe periudha e kthimit është 40 vjet, ndërsa grejs-periudha është 10 vjet”, ka shpjeguar Nayak, duke treguar se projekti i dytë është për modernizimin e sektorit publik, i cili është 8 milionë dollarë, 4.4 milionë prej tyre janë kredi, ndërsa pjesa tjetër është donacion i Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Nayak ka paralajmëruar se Banka Botërore, së bashku me partnerët tjerë zhvillimorë, në kuadër të strategjisë së përkohshme për Kosovë, do të ofrojë deri në 200 milionë dollarë
“Strategjia e re përfshin 87.5 milionë dollarë nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, me mundësi financimi prej 20 milionë dollarë të tjerë nga korporatat ndërkombëtare financiare”.
“Për më tepër, strategjia do të financohet bashkë me partnerët tjerë zhvillimorë dhe agjencitë ndërkombëtare, që si e tërë mund të arrijë deri në 200 milionë dollarë”, është shprehur Nayak.
Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka thënë se ky hap është i rëndësishëm, sepse Banka Botërore po i mbështet prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, këto marrëveshje do të mundësojnë menaxhim më të mirë të financave publike në të gjitha nivelet. Periudha e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Shala ka thënë se do të jetë deri në vitin 2013.
“Ne kemi insistuar që pjesa e ekzekutimit të jetë sa më e shpejtë në mënyrë që efektet e këtyre projekteve të kenë ndikim në zhvillimin e drejtpërdrejtë ekonomik”.
“Ndërsa, afati i shlyerjes është 40 vjet, deri në vitin 2049, grejs-periudha është 10 vjet dhe pagesa është 0.5 për qind në vit”, ka thënë Shala.
Në qershor të vitit të kaluar Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.