Ndërlidhjet

Shqetësime për korrupsionin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës nuk i komenton deklaratat e shefit të ICO-së, Piter Feith, që bën thirrje për largimin e njerëzve të korruptuar nga ekzekutivi. Sipas liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, korrupsioni nis nga kryeministri Hashim Thaçi.


Qeveria e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në përpjekjet për luftimin e korrupsionit.

Por, zyrtarët e ekzekutivit nuk dëshirojnë t’i komentojnë detajet e deklaratës së shefit të ICO-së, Piter Feith, sipas të cilit, “Kosova nuk mund t'i afrohet Bashkimit Evropian pa e luftuar dhe pa e zhdukur të keqen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Në një prononcim për “Reuters”, Feith ka deklaruar po ashtu se, “Kosova ka nevojë të përmirësojë imazhin e saj, e për këtë qëllim është shumë e rëndësishme t’i heqë qafesh personalitetet e korruptuara”.

Lidhur me këto pohime, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se nuk i pëlqen t’i komentojë deklaratat e zyrtarëve të tjerë, por përsërit përkushtimin e Qeverisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Unë, zakonisht, nuk i komentoj deklaratat e të tjerëve, por ajo çka dua të them është se Qeveria është e interesuar për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe dukuritë tjera negative. Ne e marrim seriozisht çdo deklaratë për këto çështje”
, thotë Kuçi.

Ndryshe nga zyrtarët qeveritarë shprehen liderët opozitarë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se korrupsioni në institucionet e Kosovës fillon nga kryeministri Hashim Thaçi.

“Për bindjen time, korrupsioni fillon nga kryeministri Thaçi. Ai është shkaktar i korrupsionit; logjika e tij qeverisëse, dhe pasojat vazhdojnë në nivelet tjera”
, transmetojnë burimet lokale kreun e AAK-së.

Sipas Haradinajt, pa involvimin e kryeministrit në korrupsion, do të ishte e pamundur që të korruptoheshin anëtarët e kabinetit. Duke mos e luftuar korrupsionin, Haradinaj thotë se institucionet po ndikojnë që të dëmtohet imazhi i vendit para bashkësisë ndërkombëtare.

“Ky dëm do të dyfishohet në rast se mekanizmat ndërkombëtarë duhet të veprojnë, ngase si mesazh që ne e dërgojmë në këtë rast në Bruksel, në Uashington, është se jo vetëm që ka korrupsion, por mekanizmat që duhet ta luftojnë atë janë të korruptuar, sepse nuk e luftojnë”
, shprehet Haradinaj.

Po në lidhje me luftën kundër korrupsionit, edhe shtypi kosovar paralajmëron mundësinë që kryeministri Hashim Thaçi të shkarkojë të paktën njërin nga ministrat e kabinetit të tij, nën dyshimet për keqpërdorimin e, siç thuhet, dhjetëra miliona eurove, që mund të vijë si rrjedhojë e trysnive ndërkombëtare.

Por, edhe këto paralajmërime nuk janë komentuar nga ekzekutivi kosovar.
XS
SM
MD
LG