Ndërlidhjet

Skepticizëm për agjendën legjislative


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Në agjendën legjislative për vitin 2010, Kuvendi i Kosovës pritet të ketë rreth 135 ligje. Deputetët besojnë se kjo është një agjendë vështirë e përballueshme apo se do të mund të realizohej vetëm me procedura të përshpejtuara.






Deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehen skeptikë lidhur me pritjet e Qeverisë për miratimin e strategjisë prej 135 ligjesh për vitin 2010.

Në këtë strategji bëjnë pjesë dhe mbi 100 ligje që dalin si obligim nga raporti i progresit i Komisionit Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi u ka dhënë afat ministrave që këto projektligje të jenë të gatshme për procedim në Kuvend deri më 31 qershor. Mirëpo, deputetët numërojnë shumë arsye që i bëjnë pak të realizueshme pritjet e Qeverisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, thotë se projektligjet në procedurë dhe ato që pritet të vijnë për shqyrtim në Kuvend, janë të rëndësishme. Por, ai shprehet skeptik nëse Kuvendi do të arrijë t’i miratojë deri në fund të vitit.

“Realisht thënë, është paksa e pamundur që Kuvendi i Kosovës të ballafaqohet me këtë agjendë legjislative, që është paraparë për vitin 2010, sepse edhe nëse të gjitha do të ishin të gatshme, teknikisht nuk është e mundur të miratohen të gjitha këto ligje”.

“Por, është e mundur që të 135 ligjet të hyjnë në procedurë dhe ndoshta edhe ky është qëllimi i Qeverisë - që ato të hyjnë në procedurë”
, thotë Hyseni.

Më optimist se Kuvendi, megjithatë, do t’ia dalë që të përmbushë strategjinë e sivjetme legjislative, është deputeti dhe nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.

Ai beson se Kuvendi mund t’i miratojë 135 ligjet gjatë këtij viti, qoftë nevoja edhe duke zbatuar procedura të përshpejtuara të punës.

“Nëse është diçka urgjente, ne mund të shkojmë edhe në procedura të tjera të përshpejtuara. Vërtet po duket një numër i madh, por nuk ma merr mendja se do të ketë nevojë për procedura të tilla. Ballkan jemi dhe besoj se mund t’i arrijmë, apo të paktën t’i miratojmë ato më esencialet”,
thotë Kryeziu.

Ndërkohë, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku, thotë se sjellja e një numri aq të madh projektligjesh, pikërisht në stinën e verës, e bën gati të pamundur miratimin e tyre deri në fund të vitit.

“Marrë parasysh se gushti është edhe muaj i pushimeve, mendoj se është pak e mundshme të shqyrtohen 100 e më tepër ligje gjatë kësaj periudhe kohore. Ne, si Kuvend, jemi të obliguar që një ligj ta shqyrtojmë në afatin prej dy muajsh”, thekson Maloku.

Gjatë vitit të kaluar, Kuvendi miratoi më pak se 40 ligje, kurse sivjet pretendon të miratojë rreth 135. Një agjendë kaq e ngarkuar është cilësuar që moti edhe nga vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si një mision i pamundur.

Numrin më të madh të ligjeve, Kuvendi e miratoi në vitin 2008, kur nga 90 ligjet e miratuara, mbi 40 dilnin si obligim nga Pakoja e Ahtisarit dhe qenë kaluar pa u lexuar dhe shqyrtuar fare, pasi që ato rregullonin fusha nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për statusin e Kosovës.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG