Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të kthehet në seancat e radhës të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se të enjten kishte braktisur punimet e seancës.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha të premten se nuk do ta tërheqë fjalën e tij “rrenë”, që e kishte adresuar te ministri i Ekonomisë dhe Financave.
Ai tha se e kishte respektuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, që të lëshojë sallën, por nuk e ka ndërmend ta tërheqë këtë fjalë në seancën vijuese.
“Realisht, kryetari i Kuvendit nuk ka të drejtë ta përjashtojë një deputet, ai nuk mund të ma marrë mandatin. Me rregulloren e punës së Parlamentit, ai ka të drejtë që të kërkojë ta lëshoj seancën, për një seancë, dhe këtë e kam bërë vetëm për ta respektuar kryetarin”.
“Sikur të kisha thënë se nuk dua ta lëshoj seancën, s’do të kishte çfarë të bënte, vetëm do të duhej ta humbte fytyrën e vet dhe të Kuvendit. Por, unë s’kam dashur. Kurrë nuk kam vepruar dhe kurrë s’do të veproj ashtu”, tha Gjini.
Pasi që kishte lëshuar seancën, bashkë me deputetin Gjini jashtë qenë larguar edhe deputetët tjerë të AAK-së.
Por, siç tha Gjini, ai ishte një veprim vetëm për seancën tashmë të përfunduar dhe se deputetët opozitarë të AAK-së do të kthehen në Kuvend.
“Kuvendi nuk është as i Partisë Demokratike të Kosovës, e as i Jakup Krasniqit, Kuvendi është i popullit, ne e përfaqësojmë popullin dhe Kuvendi është i yni”, theksoi Gjini.
Deri te përplasjet ndërmjet kryeparlamentarit Krasniqi dhe deputetit Gjini gjatë seancës të së enjtes erdhi pasi që kishte shumë mospajtime në lidhje me një projektligj për ndryshim-plotësimin e Ligjit për TVSH-në.
Ndërsa Gjini kishte drejtuar fjalën “rrenë” në adresë të ministrit dhe vetë kryesuesit të seancës, kishte pasuar reagimi i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili i kishte kërkuar Gjinit ta tërhiqte fjalën, ose ta lëshonte seancën.
“Mos e rreni Kuvendin palidhje. Ju duhet të bëheni nervoz më shumë se të tjerët...”, ishin fjalët e Gjinit në seancën e së enjtes.
Kurse, kryetari Krasniqi kishte reaguar duke i shqiptuar edhe masën e largimit.
“A është në fjalorin parlamentar ajo fjalë që e fole? Deputet Ardian Gjini kërkoj që ta tërheqësh fjalën... Unë kërkoj ta lëshosh sallën”, qe shprehur Krasniqi.
Në bazë të praktikës së deritashme, pozita dhe opozita janë përplasur në vazhdimësi për çështje të ndryshme, por kjo ishte hera e parë që kryetari i Kuvendit t’i kërkonte një deputeti ta lëshonte sallën.