Ndërlidhjet

Shumë ligje, por të pazbatueshme


Sheshi "Nënë Tereza", Prishtinë
Sheshi "Nënë Tereza", Prishtinë

Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, që flet për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, ndalet edhe te gjendja e grave dhe fëmijëve. Në këto fusha, sipas raportit, vlerësohet ekzistenca e legjislacionit, por vërehen mangësi në zbatimin efikas të tij. Kjo çështje është ngritur disa herë edhe nga përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.


Përfaqësueset e organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave, thonë se ndër sfidat kryesore të institucioneve vendore vazhdon të mbetet zbatimi i ligjeve që mbrojnë këtë kategori të shoqërisë. Kjo çështje është ngritur edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Arieta Rexhaj, udhëheqëse e Qendrës për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë se për përmirësimin e pozitës së gruas, institucionet vendore kanë miratuar shumë ligje, por ato ligje i quan artificiale, pasi që, sipas saj, ato ende nuk kanë gjetur zbatim në praktikë.

“Kosova është bërë një depo e madhe, ku po depozitohen ligjet dhe zbatimi i tyre po është shumë i mangët. Cili ligj është duke u zbatuar?”.

“Me cilin ligj mund të thirremi; p.sh. Ligji për trashëgimi, që është shumë i mangët, pastaj Ligji për barazi gjinore dhe fatkeqësia e Ligjit për barazi gjinore për vitin 2010, është se nuk ka buxhet. Do të thotë se nuk është ndarë buxheti për zbatimin e tij”
, thotë Rexhaj.

Rexhaj thotë se po të bëhet një krahasim me vendet tjera demokratike, sa i përket respektimit të barazisë gjinore, Kosova është shumë larg këtyre standardeve.

“Në qoftë se duhet të prezantohemi rreth e përqark botës, se si qëndron Kosova me mekanizmat për arritjen e barazisë gjinore, ose të gjitha ligjet, që në një mënyrë, ose një tjetër, e mbrojnë pozitën e gruas, janë në favor në letër dhe në disfavor në sistemin e implementimit”
, shprehet Rexha.

Por, drejtoresha e Agjencisë për Barazi Gjinore në Qeverinë e Kosovës, Shqipe Krasniqi, pranon se ka mangësi në zbatimin e disa ligjeve që mbrojnë të drejtat e grave.

Mirëpo, ajo shprehet se edhe kostoja e lartë po ndikon në moszbatimin e tyre.

“Duhet të kemi parasysh që çështjet gjinore dhe vetë gratë përbëjnë 50 përqindëshin e popullatës. Jo në gjithë legjislacionin jemi të kënaqur se sa zbatohen ato në praktikë. Disa prej tyre janë jashtëzakonisht të kushtueshme”.

“Limitet buxhetore të Qeverisë së Kosovës e dimë se çfarë janë dhe prej kujt bëhet monitorimi i shpenzimit të buxhetit, prandaj disa prej tyre (ligjeve) mbesin aktualisht të pazbatuara”,
shprehet Krasniqi.

Megjithatë, Krasniqi thotë se Qeveria e Kosovës, vazhdimisht është duke punuar në respektimin e të drejtave të grave dhe zbatimin e ligjeve.

“Nëse nuk presim që në të ardhmen të zbatohen ligjet, ne nuk kemi nevojë të nxjerrim ligje të reja. Mirëpo, ka edhe një vullnet, meqenëse ligjet si të tilla kanë koston e vet financiare dhe secili nen vendoset brenda për brenda ligjit, matet shumë mirë nëse, vërtet, do të jetë brenda ose jo”.

“Gjithashtu maten edhe kriteret e buxhetore, çfarë do të jetë buxheti i Kosovës, për zbatimin e tij në praktikë”
, vlerëson Krasniqi.

Përfaqësuese të organizatave joqeveritare shumë herë kanë kritikuar edhe çështjen e mospërfshirjes së grave në pozita vendimmarrëse.

Sipas tyre, në Kosovë, tashmë ekziston Ligji për barazi gjinore, ligj ky i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse, por ato thonë se ky ligj nuk zbatohet ashtu siç parashihet.

XS
SM
MD
LG