Emërimi i koordinatorit dhe vendimi për themelimin e gjashtë grupeve punuese për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut, mbeten ende hapat e vetëm të ndërmarrë në drejtim të jetësimit të këtij dokumenti.
Autoritetet në Prishtinë thonë se nevojiten hapa të koordinuar edhe me faktorin ndërkombëtar, si dhe planifikim i shpenzimeve financiare në lidhje me zbatimin.
Kurse, themelimi i gjashtë grupeve punuese, ishte vetëm hapi i parë në këtë drejtim.
Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, përsërit ftesën edhe për opozitën dhe shoqërinë civile që të jenë pjesë e jetësimit të strategjisë.
“Janë gjashtë grupe punuese, të cilat do të udhëhiqen nga Qeveria, e ku do të jenë pjesëmarrës edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, si dhe ne besojmë që aty të përfaqësohen edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile, meqenëse kjo është një çështje që na përket të gjithëve dhe ka një karakter gjithëpërfshirës”.
“Ditëve të ardhshme ne presim që të bëhet finalizimi, meqenëse ne presim të dimë se kush do të jenë në këto grupe edhe nga partitë opozitare dhe shoqëria civile”, thotë Krasniqi.
Ndonëse e përkrahin nismën e Qeverisë për veriun, deputetët opozitarë thonë se nuk kanë asnjë informatë zyrtare nga Qeveria në lidhje me veprimet konkrete në veri.
Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se përfaqësimi në grupet punuese nuk nënkupton vetëm dekor, por angazhim konkret dhe serioz në drejtim të integrimit të kësaj pjese të Kosovës.
“Duhet të ketë kontakte mes Qeverisë dhe opozitës, në mënyrë që të studiohet ajo strategji edhe nga ata që do të dëshironin të jenë pjesë e këtyre grupeve”.
“Nuk jemi të gatshëm që të jemi vetëm dekor dhe të plotësojmë numra në çfarëdolloj grupi. Megjithatë, ne presim që Qeveria do të ketë një qasje serioze në këtë drejtim dhe do të kontaktojë me partitë politike, opozitën, por edhe me shoqërinë civile”, shprehet Makolli.
Opozita, jo vetëm që thotë se nuk e ka në duar dokumentin final të strategjisë për veriun, por edhe konfirmon se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare nga Qeveria për të qenë pjesë në grupet punuese për zbatimin e planeve për veriun.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se deri më tani opozita mund t’i japë vetëm përkrahje morale Qeverisë për integrimin e veriut, pasi që nuk ka pasur kurrfarë kontaktesh për këtë çështje.
“Nuk kemi marrë ndonjë ftesë konkrete, nuk dimë kujt t’i drejtohemi, as kush i udhëheqë ato grupe dhe as si janë formuar ato. Pra, është dashur të kemi ftesë dhe të shkojnë të gjithë përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare e partive politike”, thotë Maloku.
Kuvendi i Kosovës ka diskutuar sfidat e zbatueshmërisë së Kushtetutës në veri të Kosovës, por pa u përqendruar në strategjinë dhe zbatimin e saj.
Ndonëse pati miratuar një deklaratë në mbështetje të shtrirjes së kushtetutshmërisë në veri, Kuvendi nuk ka mundur ta obligojë zbatimin e strategjisë, pasi që, sipas deputetëve, ajo përfshin në vete edhe faktorin ndërkombëtar, të cilin institucionet e Kosovës nuk mund ta obligojnë me vendime të njëanshme.