Kosova ka nevojë për një qeverisje më të mirë dhe më efikase, vlerësojnë përfaqësues politikë në Prishtinë si dhe analistë.
Përderisa nga Qeveria nuk janë dhënë detaje të ndryshimeve që po paralajmërohen në ekzekutiv, me arsyetimin se i takon kryeministrit që ta deklarojë publikisht këtë rikonfigurim pasi që të kthehet nga vizita në Estoni, përfaqësues të tjerë politikë presin që ndryshimet të sjellin një kualitet të ri në qeverisje.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se i përket kryeministrit të Kosovës të vendosë për formën e rikonfigurimit dhe të ndryshimeve. Por, ai pret që këto ndryshime të sjellin risi dhe rritje të efikasitetit të qeverisjes në vend.
“Ne, si Kuvend dhe si deputetë, por edhe si përfaqësues të pozitës, dëshirojmë që gjithçka të bëhet mbi bazën e një interesi të një qeverisjeje dhe kualiteti të ri të qeverisjes në Kosovë”.
“Unë nuk flas me emra, por qeverisja në Kosovë, me të gjitha gjasat, pasi është thënë edhe nga kryeministri se do të bëhet riformatizimi, ka nevojë për një qeverisje e kualitet të shtuar”, thotë Krasniqi.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e përjashton mundësinë që në reformimin e Qeverisë të përfshihet edhe Parlamenti.
Ndërkohë, analisti politik, Belul Beqaj, shprehet mjaft skeptik se ndryshimet e paralajmëruara mund të sjellin kualitetin e dëshiruar në qeverisjen vendore.
Sipas tij, qeverisja aktuale është nën nivelin e pritjeve të qytetarëve dhe ndryshimet nuk mund të ndodhin me ndërrimin e disa ministrave dhe zyrtarëve tjerë qeveritarë.
“Unë mendoj se çështja formale është më pak e rëndësishme, derisa nuk ndërrohet natyra dhe përbërja e qeverisjes. Këtu qëndron thelbi i problemit dhe jo në riformoatizim”.
“Qeverisja, me ndërrimin e dy-tre ministrave, vetëm mund të vazhdojë qeverisjen e deritanishme, duke arsyetuar me një pretekst të pabindshëm, por duke i shkaktuar pasoja të mëtutjeshme shoqërisë kosovare”, thotë Beqaj.
Aktualisht përmendet si opsion largimi dhe zëvendësimi i dy ministrave të Partisë Demokratike të Kosovës dhe po aq të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe shtimi i një ministrie të re - asaj për çështje evropiane.
Në kuadër të reformave, kryeministri Hashim Thaçi besohet se do t’u kërkojë ministrave të dorëzojnë postin e deputetit, në mënyrë që të mund t’i përkushtohen më tepër ekzekutivit.
Në këtë fazë, rikonfigurimi i ekzekutivit nuk besohet se do t'i përfshijë edhe preferencat ndërkombëtare për largimin e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion e keqpërdorime financiare.