Ndërlidhjet

Tërmkolli jep dorëheqjen nga Kryesia e LDK-së


Melihate Tërmkolli
Melihate Tërmkolli

Melihate Tërmkolli ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së. Tërmkolli ka thënë se dorëheqjen e ofron për shkak të pakënaqësive me rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe me vazhdimin e koalicionit PDK-LDK.



E pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe me vazhdimin e koalicionit ndërmjet dy partive më të mëdha, Melihate Tërmkolli ka dhënë sot dorëheqje nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Tërmkolli, e cila vazhdon funksionin e deputetes dhe kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së, tha në një konferencë për media, se me këtë veprim, ajo ka dashur t’u japë një shenjë anëtarëve të tjerë nga kjo parti, se LDK-ja po bëhet pjesë e zhvillimeve negative.

“Raportet e fundit ndërkombëtare tregojnë për rritje të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përderisa Qeveria, pjesë e së cilës është edhe LDK-ja, nuk i lufton këto dukuri”, tha Tërmkolli.

“Unë, që nga sot, kam dhënë dhe jap dorëheqje nga pozita e anëtares së Kryesisë së LDK-së për humbjen e thellë të LDK-së në dy palë zgjedhjet e fundit, si akt moral dhe pjesë e përgjegjësisë, duke qenë pjesë e Kryesisë së LDK-së”.

“Kryesia e LDK-së është jofunksionale dhe tërësisht formale. Vendimet, të cilat merren në emër të Kryesisë, janë vendime që merren nga një rreth i ngushtë i udhëheqjes së LDK-së, në mënyrë arbitrare, private dhe duke mos përfillur statutin e partisë”
, tha Tërmkolli.

Ajo njihet si njëra prej figurave të LDK-së që ka qenë në vazhdimësi kundër koalicionit PDK-LDK. Ajo ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, dhe gjithë kryesisë së partisë.

Ndërsa në LDK janë shtuar pakënaqësitë me formën e qeverisjes, nga kreu i Qeverisë vijnë paralajmërime për ndryshime të shpejta, por të cilat do të përfshijnë reformim dhe jo prishje të koalicionit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se këto ndryshime janë tashmë vetëm çështje ditësh.

“Besoj se ndryshimet janë për qëllime kualitative, për një qeverisje edhe më efikase, edhe më efektive dhe që u përballon sfidave të reja. Mbi të gjitha, do të jenë të tilla që nuk krijojnë vakuum institucional, që nuk bëjnë dridhje politike në asnjërin subjekt politik, e po ashtu besoj se do të jenë të pranueshme edhe për opinionin publik”.

“Besoj se në ditët në vijim, kryeministri do të dalë me propozime konkrete, por nuk mund të them konkretisht se si do të jenë ato ndryshime”
, tha Kuçi.

Përderisa në Qeveri flitet për ndryshime të shpejta, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk ka shumë informacione se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, tha se vendimet në lidhje me ndërrimin eventual të ministrave dhe kuadrove të tjera qeveritare nga kjo parti, mund të merren pas konsultimeve me kryeministrin e Kosovës.

“Kryeministri e ka të drejtën që ta japë projektin, që ta bëjë një qeveri funksionale. Unë besoj se optika e parë është funksionalizimi korrekt i Qeverisë së Kosovës. Nëse nuk është ky kriter, të tjerat do të ishin ‘non sens’ apo jo”,
u shpreh Kryeziu.

Sidoqoftë, në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, që nga zgjedhjet lokale e këndej, ka jo vetëm zëra që kërkojnë riformatizimin e kësaj qeverie, por edhe rishqyrtimin e koalicionit.

Zgjidhja definitive besohet se do të gjendet këto ditë, kur pritet të zhvillohen takimet ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe drejtuesve të LDK-së.
XS
SM
MD
LG