Ndërlidhjet

Shtyhet miratimi i strategjisë së energjisë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjatë seancës së sotme, nuk ka miratuar strategjinë e energjisë për periudhën 2009-2018. Pas vërejtjeve të partive opozitare dhe të disa deputetëve, Kuvendi ka marrë vendim që kjo strategji të plotësohet dhe të miratohet në seancën e radhës.




Strategjia e energjisë për periudhën 2009-2018 nuk ka arritur të miratohet në seancën e sotme nga ligjvënësit kosovarë. Kjo strategji është përkrahur nga partitë në pushtet, ndërsa është kritikuar nga ato në opozitë.

Për këtë qëllim, Kuvendi ka marrë vendim që strategjia të plotësohet dhe të miratohet në seancën e radhës.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, duke shpalosur strategjinë, tha se ajo përfshin të gjitha çështjet më të rëndësishme në fushën energjetike, duke filluar nga arritja e sigurisë së furnizimit me energji cilësore e deri te ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese, duke përfshirë këtu edhe ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

“Parashikimet janë që deri në vitin 2025, Kosovës do t’i duhen rreth 2000 megavate të instaluara. Prandaj, edhe në strategji kemi parashikuar që të ndërtojmë 2000 megavate në periudhën afatgjate dhe mundësinë për të shfrytëzuar të gjithë Sibovcin. Por, deri në vitin 2018, periudha që mbulohet nga kjo strategji, na duhen rreth 1000 megavate”,
tha Shiroka Pula.

Këtë strategji e kanë përkrahur grupet parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, kritika dhe vërejtje për këtë dokument kanë paraqitur përfaqësues të opozitës.

Në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ethem Çeku tha se në bazë të kësaj strategjie, Kosova humb investitorët më të fuqishëm ndërkombëtarë.

“Strategjia e prezantuar sot, është dokument i vjetër, që nuk i përgjigjet realitetit kohor. Bazohet në një kornizë ligjore, e cila është në proces të ndryshimeve”.

“Kjo strategji nuk është në favorin e zhvillimit dinamik të ekonomisë së Kosovës, nuk është në favorin e krijimit të parakushteve për ngritjen e të hyrave buxhetore, nuk krijon parakushte për vende të reja pune, nuk i krijon Kosovës zë të fuqishëm rajonal në sektorin e energjisë”,
vlerësoi Çeku.

Myzejene Selmani, nga Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re, këtë strategji e quajti të vjetruar. Ajo tha se në këtë dokument nuk janë të qarta të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me termocentralin “Kosova e re“.

“Te projekti ‘Kosova e re’, edhe në këtë strategji, sikur edhe në atë më herët, ndoshta nuk sqarohet shumë, ndoshta qëllimisht, çështja e kapacitetit të termocentralit ‘Kosova e re’. Thuhet 1000 deri në 2018-ën, ndërsa 1000 të tjera figurojnë këtu, apo është problemi se duhet të startojmë 500 plus 500”
, u shpreh Selmani.

Ndërsa, Lulëzim Zeneli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, duke kundërshtuar strategjinë, tha:

“Lidhja Demokratike e Dardanisë vlerëson se ky dokument nuk merr për bazë interesin shtetëror të Kosovës. Kjo strategji është në shërbim ekskluziv të grupeve të caktuara të interesit vendor dhe ndërkombëtar”.

“Kjo strategji është, në fakt, për humbjen e pasurisë së Kosovës dhe të resurseve të saj. Në këtë formë, shteti i Kosovës do të jetë qiraxhi pa pronësi në resurset e tij strategjike”
, theksoi Zeneli.

Pas kritikave të opozitës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se kjo strategji është përpjekje për ndryshim të gjendjes energjetike në Kosovë.

“Ne e dimë se edhe kjo strategji nuk është më e mira e mundshme. Është një përpjekje për të bërë ndryshim në sistemin energjetik të Kosovës. Në këtë rrafsh mendoj se duhet ta përshëndesim”,
tha Krasniqi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, ka miratuar strategjinë e energjisë për vitin 2009-2018.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG