Ndërsa po vazhdojnë përpjekjet diplomatike të Sllovenisë për organizimin dhe përfaqësimin e të gjithë liderëve të rajonit në konferencën e Bërdos, Qeveria e Kosovës përsërit qëndrimin se në këtë takim, Kosova mund të përfaqësohet vetëm si shtet i barabartë me vendet tjera.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se ftesa për pjesëmarrje, kryeministrit Hashim Thaçi i është dërguar në cilësinë e kryeministrit të një shteti sovran dhe në këtë cilësi edhe do të shkohet në Bërdo.
“Kosova do të përfaqësohet si e barabartë kudo në forume ndërkombëtare. Edhe në rastin e takimit të Bërdos, afër Kranjit, jam i bindur se kryeministri i vendit do ta ketë përfaqësimin e shtetit të Kosovës në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë me të gjitha shtetet tjera pjesëmarrëse në atë takim”, thotë Kuçi.
Pjesëmarrja e Kosovës si shtet është sfiduar nga Serbia, e cila ka kërkuar që emri i Kosovës të shënohet si UNMIK-Kosova, çka nga Prishtina është cilësuar si propozim i papranueshëm.
Zëvendëskryeministri kosovar thotë po ashtu se Serbia në vazhdimësi ka bërë përpjekje ta pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në takime ndërkombëtare.
Politika serbe në raport me Kosovën, sipas tij, i takon një logjike të vjetër, e cila mund të ndryshojë me rritjen e trysnive diplomatike ndërkombëtare mbi Beogradin.
“Unë besoj se Serbia do ta ndryshojë logjikën e konfrontimit, do të kthehet në logjikën e bashkëpunimit dhe nuk ka arsye që të mos marrë pjesë. Po ashtu, besoj se presioni ndërkombëtar do të shtohet, që ndryshimet në Serbi të jenë më të shpejta”, thotë Kuçi.
Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë vizitës së tij në Kosovë, pati deklaruar se nuk janë tejkaluar mosmarrëveshjet në lidhje me organizimin e konferencës së liderëve të Ballkanit perëndimor, në Bërdo afër Kranjit.
Për shkak të kundërshtimeve serbe, mbetet si problematikë përfaqësimi i shteteve, i simboleve dhe i nxjerrjes së deklaratës së përbashkët.
Kjo konferencë ka për qëllim t’i tubojë liderët e Ballkanit perëndimor që të diskutojnë bashkë me liderët e BE-së perspektivën evropiane të rajonit. Por, gjërat janë komplikuar në momentin kur Beogradi kërkoi që Kosova atje të mos përfaqësohet si shtet, por si pjesë e delegacionit të UNMIK-ut, siç e parasheh Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.