Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar jashtëzakonisht të suksesshme konferencën rajonale të mbajtur në Bërdo afër Kranjit.
Këto komente, Thaçi i ka bërë pas kthimit në Prishtinë, me ç’rast e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për Kosovën përfaqësimin e saj të barabartë në takim krahas shteteve tjera pjesëmarrëse.
Në të njëjtën kohë, kjo konferencë, sipas Thaçit, ishte një rast i mirë për të rikonfirmuar pozicionin e vendeve të rajonit për t’u integruar në NATO dhe në BE, si dhe për të kaluar kështu nga faza e stabilitetit, në atë të zhvillimit ekonomik.
Ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm edhe miratimin e deklaratës së përbashkët nga përfaqësuesit e këtij takimi.
“Deklarata e përbashkët ishte zotim për të ndihmuar secili shtet secilin, por edhe për nevojën për të njohur njëra-tjetrën, për t'i njohur shtetet përkatëse që të rritet dhe të thellohet bashkëpunimi i ndërsjellë, ndërshtetëror”.
“Në kuadër të kësaj, besoj se gjërat do të lëvizin edhe më mirë, edhe më shpejt, bashkëpunimi do të rritet dhe i tërë Ballkani perëndimor do të integrohet në strukturat e NATO-së dhe të BE-së”, ka deklaruar Thaçi.
Duke folur në lidhje me mospjesëmarrjen e presidentit serb, Boris Tadiq, në këtë konferencë, kryeministri Thaçi ka thënë se ky ishte një vendim i Beogradit dhe ata duhet ta sqarojnë vetë pozicionin e tyre.
“Mendoj që është vendim i shtetit përkatës pjesëmarrja ose mospjesëmarrja, por takimi i Bërdos ka pasur suksesin e plotë prej organizatorëve, në veçanti për Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Përfaqësuesit politikë të vendeve të Ballkanit ranë dakord që të bashkëpunojnë më shumë në të ardhmen, për të ndihmuar njëri-tjetrin në rrugën drejt integrimeve evropiane. Në samitin në Slloveni u tha se nuk ka alternativë bashkëpunimi për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova është për dialog, jo për bojkot.
Organizuar nga kryeministri i Sllovenisë, Borud Pahor, dhe homologia e tij kroate, Jadranka Kosor, në konferencën e Bërdos janë përfaqësuar të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e cila nuk mori pjesë në shenjë pakënaqësie me përfaqësimin e barabartë të Kosovës atje.
Sidoqoftë, liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor porositën Bashkimin Evropian që ta mbajë si prioritet të lartë procesin e zgjerimit të BE-së.
Pas Bërdos, është paralajmëruar dhe konferenca e nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit perëndimor, që pritet të mbahet gjatë qershorit në Sarajevë.
Kryeministri Thaçi ka thënë se edhe në këtë rast, Kosova do të përfaqësohet vetëm si shtet i barabartë me vendet tjera.