Ndërlidhjet

Në Çagllavicë u prezantua iniciativa për themelimin e një subjekti të ri të serbëve të Kosovës, me emrin “Nisma për Kosovën”. Përfaqësuesit e tij pretendojnë të regjistrohen në Kosovë dhe në Serbi, duke dashur, siç thanë ata, t'i mbrojnë dhe kultivojnë të drejtat e serbëve.





Disa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës kanë prezantuar sot nismën për themelimin e një asociacioni të ri politik, me emrin “Nisma për Kosovën”.

Sipas paralajmërimeve, ky subjekt i ri politik, por me figura të njohura të politikës serbe, do të formohet deri në fund të prillit.

Koordinator i kësaj nisme është Mirosllav Sholeviq, i cili në Kosovë njihet si njëri prej pjesëmarrësve të zëshëm në mitingun e Gazimestanit, në vitin 1989, nga i cili pasoi suprimimi i autonomisë së Kosovës në ish-Federatën Jugosllave dhe dominimi politik i diktatorit Sllobodan Millosheviq.

Duke pranuar se atë kohë ishte njëri prej pjesëmarrësve, por jo edhe organizatorëve të mitingut të rrënimit të autonomisë së Kosovës, Sholeviq tha se qëllimi ka qenë gjithmonë që Serbia të jetë e pranishme në Kosovë.

“Millosheviqi nuk erdhi në Kosovë pse ai deshi, por ngase ne, me protestat tona, e detyruam që të vijë“,
tha Sholeviq.

Kjo nismë, sipas tij, ka për qëllim që të krijojë kushte më të mira për kthimin e serbëve, siç tha ai, të përndjekur nga shtëpitë e tyre.

Ndërkaq, Momçillo Trajkoviq, po ashtu njëri prej themeluesve, tha se do të kërkohet edhe nga Beogradi që t’i zgjidhë problemet e serbëve të Kosovës.

Nga shteti ynë do të kërkojmë që t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në funksion të fuqizimit të pozicionit të serbëve në Kosovë“, tha Trajkoviq.

Kurse, Sllavisha Petkoviq, po ashtu njëri prej nismëtarëve të këtij subjekti politik, tha se qëllimi i formimit të “Nismës për Kosovën” është kultivimi i një politike të partneritetit dhe jo servilitetit.

“Qeveria aktuale, për një kohë të gjatë, përpiqet të imponojë raporte vazale me bashkësinë serbe, në çka ne nuk pajtohemi“
, tha Petkoviq, sipas të cilit, serbët duan të jenë partnerë të Qeverisë në Prishtinë, asaj në Beograd dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Disa nga themeluesit e kësaj nisme kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, mirëpo nuk kanë arritur ndonjë rezultat në konkurrencë me partitë tjera serbe.

Sidoqoftë, ata sot u zotuan se do të jenë një zë më i fuqishëm i komunitetit dhe i politikës serbe në Kosovë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG