Ndërlidhjet

Protesta kundër integrimit


Protesta e serbëve në Mitrovicë, 24 mars 2010
Protesta e serbëve në Mitrovicë, 24 mars 2010

Veriu i Kosovës nuk do të pajtohet me integrimin në kuadër të sistemit legal kushtetues të Kosovës, kanë porositur të mërkurën përfaqësuesit e serbëve nga pjesa veriore, gjatë një tubimi të mbajtur në Mitrovicë.


Disa qindra qytetarë serbë kanë protestuar të mërkurën në Mitrovicë, duke kundërshtuar kështu planet e Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e veriut, në kuadër të sistemit legal të Kosovës.

Njëri prej përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, Radenko Nedelkoviq, anëtar i Partisë Demokratike të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se integrimi i veriut për serbët e Kosovës është i papranueshëm.

“Të gjithëve duhet bërë e qartë se veriu i Kosovës mund të integrohet në të ashtuquajturat institucione të Kosovës vetëm nëse do të na shkatërrojnë apo përndjekin, por këtë, ne, sigurisht se nuk do ta lejojmë”,
ka thënë Nedelkoviq.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Nacional Serb, Milan Ivanoviq, i ka ftuar serbët që të bojkotojnë zbatimin e Planit të Ahtisarit dhe të mos bashkëpunojnë në zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut, ngase duke marrë pjesë, sipas tij, ata do të shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Serbisë.

Ivanoviq ka përsëritur refrenet politike serbe, tashmë të njohura, për Kosovën si zemër dhe shpirt të Serbisë

Në vijim, pjesëmarrësve u është drejtuar edhe Nebojsha Samarxhiq, nënkryetari Partisë Demokratike të Serbisë të Vojisllav Koshtunicës.

Ai ka kërkuar nga Qeveria në Beograd që të marrë nën mbrojtje komunitetin serb dhe të zbatojë politika unike në raport me të gjithë serbët e Kosovës.

“Duhet t’i kthehemi unitetit tonë, i cili theksohet qartë në Kushtetutën e Serbisë dhe preambulën e saj, ku thuhet se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”
, është shprehur Samarxhiq, duke kërkuar nga Beogradi që ta zbatojë kushtetutshmërinë serbe në territorin e Kosovës.

Gjatë protestës dhe marsheve, të tubuarit mbanin parulla me mbishkrime, si: “Strategjia për veriun, dënim me vdekje për serbët”, “Kosova është strategjia serbe”, si dhe parulla tjera që fajësonin serbët që bashkëpunojnë me ICO-në dhe Qeverinë e Kosovës.

Në fund, masa ka zhvilluar një shëtitje edhe në Zveçan, ku janë ndezur qirinj në shenjë përkujtimi për viktimat e 24 marsit, ditës së fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Për dallim nga pjesët tjera të Kosovës, ku kjo ditë shënon fillimin e betejës ajrore të NATO-s për çlirimin e Kosovës, në veri ajo shihet si ditë e agresionit mbi Serbinë.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës i ka cilësuar protestat e tilla si pjesë e politikës së vjetër serbe, që nuk ka të bëjë me realitetin e ri në Kosovë, por me ruajtjen e status-kuosë dhe ruajtjen e strukturave ilegale në veri.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka thënë se Prishtina i sheh këto protesta si pjesë e politikës së strukturave të Serbisë në Kosovë.

“Protestat e një grupi të serbëve, që është gjithnjë e më i vogël, janë mbeturinë e së kaluarës, respektivisht eksponencë e atyre që pretendojnë ta kthejnë, apo ta mbajnë gjendjen e status-kuosë dhe pranisë së strukturave ilegale të Serbisë që pretendojnë të minojnë realitetin e ri të krijuar”,
ka thënë Manaj.

Lidhur me protestën e së mërkurës në Mitrovicë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka raportuar se tubimi me emrin “Marshi i qetë” është përcjellë me grumbullimin e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve serbë nga veriu i Mitrovicës dhe nga komunat Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan dhe është realizuar pa ndonjë incident.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG