Ndërlidhjet

Ndryshimet në Qeveri, pa afat


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi tha të enjten se ndryshimet e paralajmëruara në Qeverinë e Kosovës, nuk kanë afat kohor, por janë një proces. Sipas tij, ky është një proces i afirmimit të figurave dhe energjive të reja në ekzekutiv





Rikonfigurimi i paralajmëruar tash e disa muaj i Qeverisë së Kosovës vazhdon të mbetet i paqartë.

Ndonëse si çështje, ky rikonfigurim është ngritur nga kryeministri Hashim Thaçi dhe është konfirmuar nga të dyja partitë e koalicionit, megjithatë, as kryeministri dhe as udhëheqës të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë në gjendje t’i shpjegojnë format dhe detajet e këtyre ndryshimeve në ekzekutiv.

Kryeministri Hashim Thaçi tha të enjten se nuk dëshiron ta ndërlidhë rikonfigurimin e Qeverisë me data apo me figura që do të largoheshin apo do të hynin në Qeveri.

Por, sipas tij, freskimet në Qeveri po vazhdojnë dhe këtu bëhet fjalë për një proces. E gjitha kjo, sipas Thaçit, ka të bëjë me vazhdimin e qeverisjes, siç e cilësoi ai, të mirë në Kosovë.

“Çdo ditë është duke ndodhur afirmimi i energjive të reja në kuadër të Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Një afirmim i tillë do të ndodhë edhe në të ardhmen, pasi që mund të themi se jemi në agjendën më të rëndësishme të vendimmarrjeve për vazhdimin e qeverisjes së mirë”,
tha Thaçi.

Përderisa kryeministri Thaçi foli për energji të reja në ekzekutiv, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Ramë Manaj, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës në asnjë rast nuk e ka shqyrtuar rikonfigurimin apo riformatizimin e Qeverisë.

“Sigurisht që gjithmonë është e dobishme, e nevojshme që performanca e Qeverisë të ngrihet dhe kjo mund të shqyrtohet e rishqyrtohet herë pas here. Por, deri më tani, iniciativë formale, në kuptimin juridik të fjalës, procedurale, ende nuk ka. Ne, në Kryesinë e LDK-së, ende nuk e kemi shtruar këtë çështje për shqyrtim dhe vendimmarrje”, tha Manaj.

Javën e kaluar, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pati deklaruar se rikonfigurimi duhet të përfundojë sa më shpejt, tash kur zgjedhjet lokale janë përmbyllur.

Riformatizimin e Qeverisë e pati cilësuar si çështje ditësh edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Por, megjithatë, siç tha të enjten kryeministri Thaçi, ky do të jetë një proces që nuk duhet ndërlidhur me vendime dhe afate kohore.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG