Ndërlidhjet

Privatizimi (jo)transparent


Partitë në pushtet dhe ato në opozitë japin mendime të ndryshme rreth procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike. Përderisa përfaqësues të partive në pushtet pohojnë se procesi do të jetë transparent, ata të opozitës dyshojnë në mënyrën e realizimit të këtij procesi.



Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për privatizimin e Post-Telekomit të Kosovës, të Korporatës Energjetike, si dhe dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Partitë politike në pushtet konsiderojnë se privatizimi është i domosdoshëm. Ky proces, sipas tyre, do të ofrojë shërbime publike më cilësore, nxitje të investimeve dhe ngritje të performancës se ndërmarrjeve publike.

Muharrem Shahini, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, shprehu bindjen se privatizimi i këtyre kompanive do të sjellë rezultate pozitive dhe se do të jetë një proces transparent.

“Ne mendojmë se këto që i kemi zgjedhur, janë shumë transparente - forma, mënyra. Kemi koncesionimin e Aeroportit, ku ne jemi shumë transparentë. Të gjitha procedurat, takimet që i kemi pasur të rregullta, ne i kemi paraqitur para mediave”,
tha Shahini.

Edhe Berim Ramosaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se privatizimi i ndërmarrjeve publike do t’i sjellë përfitime shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Në parim, unë mendoj se suksesi gjendet te një strukturë e re menaxheriale dhe e pronësisë; është fjala për këto ndërmarrje të privatizuara”.

“Këto ndërmarrje nuk mund të jenë të suksesshme në këtë mënyrë që janë, që në fakt e kanë vetëm emërtimin kompani, ndërsa struktura organizative menaxheriale dhe e pronësisë nuk tregon për një organizim të një kompanie të mirëfilltë”
, u shpreh Ramosaj

Pro procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike janë edhe përfaqësues të partive opozitare, por ata shprehen kundër mënyrës së realizimit të këtij procesi.

Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se nuk beson që autoritetet përgjegjëse mund ta përfundojnë privatizimin në mënyrë transparente.

“Mendoj se në asnjë proces, ku ka pasur involvim të mjeteve materiale, Qeveria e Kosovës nuk e ka treguar as minimumin e kujdesit, që ato të mira publike t’i shërbejnë vetëm publikut”.

“Ata kanë shërbyer vetëm për veten e vet. Privatizimi është proces që duhet të ndodhë, por nuk mund t’i zëmë besë kësaj qeverie”
, tha Gjini.

Mënyrën e privatizimit të këtyre kompanive e kundërshtoi edhe Aleanca Kosova e Re. Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryetare e këtij subjekti, e vlerësoi si proces të ngutshëm dhe të paanalizuar mirë nga Qeveria e Kosovës.

“Jemi duke u ballafaquar ende me gjendje të rëndë ekonomike të rajonit dhe konsiderojmë se nuk mund ta marrë çmimin e duhur PTK-ja dhe ndërmarrjet tjera publike”.

“Së fundi, besoj se nuk ka strategji për shpenzimin e këtyre mjeteve ose për investimin e mëtutjeshëm të këtyre mjeteve. Privatizimi duhet të ndodhë në momentin kur krijohet strategjia, kur këto mjete të hyjnë në funksion të ekonomisë, të punësimit dhe të uljes së varfërisë”
, deklaroi Kusari-Lila.

Ndryshe, ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka prezantuar Post-Telekomin e Kosovës para investitorëve ndërkombëtarë. Më herët është mbajtur një konferencë e ofertuesve për partneritetin publiko-privat për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në anën tjetër, sipas një raporti të bërë nga Instituti “Riinvest”, faktori që do të ndikojë për një proces jo edhe aq të përkryer të privatizimit, është korrupsioni brenda ndërmarrjeve publike, sidomos në Post-Telekomin e Kosovës dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës.
XS
SM
MD
LG