Komandanti suprem i Forcave të Përbashkëta për Evropë, admirali Xhejms Stavridis, ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme të NATO-s për Kosovën dhe Forcën e saj të Sigurisë.
Gjatë vizitës njëditëshe në Prishtinë, Stavridis ka lavdëruar bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Ky bashkëpunim, sipas tij, ka sjellë si rezultat një gjendje të qetë e stabile.
“Kjo është hera e katërt që po vizitoj Kosovën dhe çdo herë shoh më tepër përparime”, ka thënë Stavridis, para largimit, në Aeroportin e Prishtinës.
Ndërkaq, lidhur me disa mosmarrëveshje ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it, të cilat patën nxitur fillimisht reagimin e KFOR-it me ngrirje të raporteve, Stavridis ka thënë se ajo tashmë i takon së kaluarës.
“Siç u kam thënë gjatë bisedës edhe presidentit dhe kryeministrit, ne po bisedojmë për të ardhmen dhe bashkëpunimin e plotë me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë”, ka deklaruar Stavridis.
I të njëjtit mendim është shprehur edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler. Ai ka thënë se mosmarrëveshjet i takojnë së kaluarës dhe tani KFOR-i synon që brenda 3 vjetësh ta ngritë këtë Forcë në kapacitete të plota vepruese.
“Ne po e ndërtojmë këtë forcë, kapacitetet e saj, dhe besojmë se do të nevojiten edhe 2-3 vjet që të arrihet forma më e mirë e saj”, ka theksuar Bentler, duke konfirmuar se KFOR-i i jep mbështetje të plotë Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Stavridis, i shoqëruar edhe nga komandanti i KFOR-it, Bentler, ka zhvilluar takime të ndara me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Në një komunikatë me shkrim nga Presidenca, thuhet se Sejdiu dhe admirali Stavridis biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për bashkëpunimin e institucioneve me NATO-n.
Ndërkaq, në një njoftim nga Qeveria, thuhet se kryeministri Hashim Thaçi i ka zotuar atij përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të ndërtojë bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësor me NATO-n.
Komandanti i lartë i NATO-s, Xhejms Stavridis, ka vizituar gjatë ditës së premte edhe Manastirin e Deçanit, me ç’rast, me peshkopin Teodosije, ka biseduar për mbrojtjen e Kishave ortodokse serbe dhe të Manastireve në Kosovë. Kjo ishte vizita e katërt që Stavridis i bën Kosovës.