Ndërlidhjet

Opozita: Koalicioni në krizë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Përfaqësues të opozitës në Kosovë thonë se koalicioni aktual qeverisës është në krizë dhe kjo po reflektohet në ndryshimet e paralajmëruara qe një kohë të gjatë. Organizimi i zgjedhjeve të lira, sipas tyre, është rrugëdalja e vetme.


Ndryshimet e paralajmëruara për një kohë të gjatë në Qeverinë e Kosovës dhe mosndërmarrja e asnjë veprimi në këtë drejtim, për opozitën janë shenja treguese të krizës qeveritare.

Ndërkaq, partitë në pushtet thonë se janë duke vlerësuar punën e secilit ministër para se të mund të merren vendime për ndryshime.

Sidoqoftë, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se partitë partnere në koalicion kanë probleme të brendshme dhe se ato do ta kenë vështirë të bëjnë ndërrime ministrash për shkak të grupacioneve të brendshme politike.

Në një situatë të tillë, Makolli thotë se dalja nga kjo gjendje mund të jenë zgjedhjet e lira.

“Besoj shumë që e vetmja mundësi e daljes nga kjo krizë, në të cilën është Kosova në të gjitha fushat e jetës, janë dhe mund të jenë vetëm zgjedhjet e lira. Por, për t’u realizuar këto zgjedhje, duhet patjetër të krijohen një mori kushtesh, të cilat do të garantonin integritet të plotë të zgjedhjeve”
, thotë Makolli.

Ndërsazgjedhjet i sheh si opsionin më të mirë për të krijuar institucione dhe sidomos një Qeveri stabile e efikase, Makolli thotë se tashmë ka një mendim të përgjithshëm se as në zgjedhje nuk mund të shkohet pa një reformë të sistemit dhe ligjit zgjedhor.

Këto reforma, sipas tij, po vonohen, andaj edhe nëse do të kishte një konsensus politik për zgjedhje gjatë këtij viti, ato teknikisht do të ishte gati e pamundur të mbahen.

“Vendi nuk do të duhej të hyjë në zgjedhje tjera pa një reformë në sistemin zgjedhor, në përgjithësi. Së dyti, pa një reformë të thellë në dy trupat që do të duhej të garantonin integritet të zgjedhjeve, si KQZ-ja (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) dhe KZAP-i (Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa)”.

“Këto reforma kërkojnë kohë dhe, siç dihet, thuhet se së paku një vit para zgjedhjeve duhet të përfundojnë reformat ligjore që të krijohen përgatitjet teknike për zgjedhje të lira”
, thekson Makolli.

Ndërkaq, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, thotë se kriza në koalicionin aktual është shumë evidente dhe se kjo po reflektohet shumë në qeverisjen e vendit.

“Të gjitha ngecjet apo zhvillimet në këtë aspekt janë pasojë e mosmarrëveshjeve brenda koalicionit, madje edhe brenda vetë partive politike në koalicion”.

“Këta janë parametra që tregojnë një klimë jo të mirë në koalicionin aktual qeverisës, një nevojë të domosdoshme për ndryshime shumë të shpejta, e madje edhe për zgjedhje të parakohshme, të cilat do të ishin decidivisht në të mirë të vendit”
, thotë Luma.

Pavarësisht kohës që do të kërkojnë reformat në sistemin zgjedhor, zyrtari i AAK-së, Ernest Luma, thotë se sa më shpejt që të vendoset për zgjedhjet e parakohshme, aq më shpejt do të shpëtohet, si thotë ai, vendi nga trendi i zhvillimeve negative.

“Në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, në mënyrë që ta shpëtojmë vendin, ta shpëtojmë Republikën e pavarur e sovrane të Kosovës nga gremina, drejt së cilës me vetëdije të plotë po e çon koalicioni aktual dhe, natyrisht, edhe interesat e ngushta që përfaqësojnë”,
shprehet Luma.

Ndërkohë, Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se procedurat e ndryshimeve eventuale në Qeveri kërkojnë që, fillimisht, kryeministri të dalë me propozime. Vetëm pasi që kryeministri t’i paraqesë propozimet, atëherë partitë në koalicion do të dilnin edhe me vlerësimet e tyre.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG