Ndërlidhjet

Thaçi: Qeveria ka nevojë për energji të reja


Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi

Afirmimi i qeverisjes së mirë në Kosovë do të vazhdojë me personalitete kredibile dhe energji të reja, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi, duke paralajmëruar ndryshime në kabinetin e tij qeverisës. Pasi ka vlerësuar lart punën e secilit ministër në angazhimet e deritashme, Thaçi ka deklaruar se tani kërkohet që të punohet edhe më tepër, pasi që nevojat e qytetarëve po rriten.



Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi ministrat e kabinetit të tij qeveritar, duke paralajmëruar freskime me energji dhe personalitete të reja.

Ndonëse nuk i konfirmoi përfundimisht ndryshimet në Qeverinë e tij, Thaçi tha se nevojat e qytetarëve po rriten dhe ato kërkojnë një trajtim edhe më afirmativ.

Duke mos folur për emra konkretë, Thaçi tha se po rritet edhe nevoja për energji të reja në Qeverinë që ai drejton.

“Afirmimi i qeverisjes së mirë do të vazhdojë me personalitetet kredibile dhe energjitë e reja, duke vlerësuar lart punën e secilit ministër në angazhimet që kanë pasur në suksesin historik, që kemi arritur si Republikë e Kosovës”.

“Këta dy vjet e gjysmë kanë qenë vite të suksesit dhe ky kabinet qeveritar është kabineti i suksesit. Por, gjithmonë kërkohet të bëhet edhe më tepër, pasi që nevojat e qytetarëve rriten dhe ne do të jemi në krye të përgjegjësive që kemi”
, tha Thaçi.

Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu tha se nuk është në kompetencë të tij që të flasë për çështjet e partive në koalicion, por, siç u shpreh, ai do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe angazhimet që çojnë kah një qeverisje më e mirë.

“Unë s’kam përgjigje, kjo është çështje e partnerëve të koalicionit. Këto lista dërgohen në komunikime ndërmjet tyre dhe Kushtetuta është shumë e qartë. Por, nëse do të vijë çështja e kompetencave që lidhen me rolin që duhet të ketë presidenti, ajo do të jetë shumë e qartë, por, në këtë fazë, kjo është çështje e partnerëve të koalicionit, absolutisht”, u shpreh presidenti.

“Unë jam i gatshëm për atë që e arrijnë partnerët e koalicionit dhe kryeministri i Republikës e bën në bazë të Kushtetutës, e informon Kuvendin për ndryshimet eventuale dhe kjo është çështje e tyre
”, tha Sejdiu.

Përderisa zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e komentojnë marrëveshjen për ndryshimet në ekzekutiv, analistët besojnë se këto ndryshime nuk do të sjellin diçka të re në qeverisjen e vendit.

Analisti Bardh Hamzaj tha se ndryshimet do të nënkuptonin masa edhe ndaj personaliteteve të dyshuara për afera korruptive dhe keqpërdorime financiare. Kurse, ky riformatizim i prezantuar deri tash, sipas tij, është vetëm një ndryshim kozmetik i Qeverisë aktuale.

“Deri në këtë moment, ne nuk kemi parë asnjë përmbajtje konceptuale që paralajmëron ndonjë ndryshim në qasje të qeverisjes, do të thotë ndonjë ndryshim, ta zëmë, në luftën kundër korrupsionit, kundër varfërisë, kundër krimit të organizuar, që janë kryesisht vërejtjet kryesore që vijnë nga raportet ndërkombëtare, ku vlerësohen rrjedhat në Kosovë”, tha Hamzaj.

Sipas Bardh Hamzajt, pas përplasjeve ndërmjet partnerëve në koalicion dhe kritikave të shumta nga faktori vendor e ndërkombëtar lidhur me performacën e Qeverisë, ndryshimet e fundit mund të shihen edhe si blerje e kohës për vazhdimin e mandatit të kësaj qeverie deri në afatin ligjor.

“Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje, nëse ndodh, do të jetë marrëveshja ndërmjet partnerëve të koalicionit, gjegjësisht ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe presidentit Sejdiu, për të blerë kohë, në mënyrë që me më pak telashe të shpenzohet ky mandat qeverisës, eventualisht nëse është e mundur deri në vitin 2011. Do të thotë, blerja e kohës është qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve”,
vlerësoi Hamzaj.

Bazuar në disa shkrime në mediat vendore, thuhet se PDK-ja dhe LDK-ja janë pajtuar që të ketë ndryshime në gjashtë ministri, duke sjellë edhe katër ministra të rinj.

Sipas këtyre shkrimeve, ministrat në largim janë: Fehmi Mujota, Zenun Pajaziti dhe Idriz Vehapi nga PDK-ja, si dhe Alush Gashi, Nekibe Kelmendi dhe Valton Beqiri nga LDK-ja. Kurse, përforcimet qeveritare thuhet se do të jenë: Edita Tahiri, Bujar Bukoshi e Lutfi Haziri. I përfoluri si ministër i ardhshëm i Drejtësisë, Robert Muharremi, i ka përgënjeshtruar këto njoftime, duke thënë se nuk ka qenë fare i kontaktuar nga kryeministri për një post të tillë.

Burime nga PDK-ja dhe LDK-ja thonë se dita e martë mund të sjellë më shumë detaje rreth këtyre ndryshimeve.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG