Kryeministri Hashim Thaçi nuk i konfirmoi as sot emrat e ministrave që pretendon t’i largojë apo të atyre që do t’i sjellë si freskime në Qeverinë e tij, por përsëriti se ekzekutivi tash ka nevojë për energji dhe personalitete kredibile.
Thaçi, sot, drejtoi mbledhjen e Qeverisë, duke mos e përmendur fare çështjen e ndryshimeve eventuale. Kurse, pas takimit, ai sërish tha se kabineti i tij qeveritar ka punuar mirë, por tash po shtrohen nevoja edhe më të mëdha dhe kërkohen energji të reja dhe ndryshime.
“Afirmimi do të vazhdojë dhe qytetarët janë tepër të informuar. Të gjithë janë në krye të përgjegjësive të veta”.
“Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën, të cilën këta dy vjet e kanë bërë të gjithë njerëzit që kanë qenë në kabinetin qeveritar dhe natyrisht se, me kalimin e kohës, rriten edhe nevojat e qytetarëve, nevojat e ndryshimeve pozitive edhe më të theksuara, e në kuadër të kësaj edhe integrimi i energjive të reja”, tha Thaçi.
Zhvillimet në Qeveri po përcillen me një heshtje nga kryesitë e dy partive në koalicion – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërkohë, njëri nga personalitetet e përfolura si ministër i ardhshëm është edhe ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi. Emri i tij është lakuar në media si ministër i Shëndetësisë, duke pasuar kështu në këtë post zyrtarin tjetër të LDK-së, ministrin aktual, Alush Gashi.
Bukoshi tha se përveç raportimeve në media, atij askush në vijë zyrtare nuk i ka komunikuar një vendim të tillë nga kreu i Qeverisë dhe ai i LDK-së. Por, siç tha Bukoshi, pavarësisht se për cilën ministri bëhet fjalë, nëse do t’i kërkohej zyrtarisht, ai do të ishte i gatshëm për një sfidë të tillë.
“Në parim, natyrisht se nuk u përtoj sfidave, punëve, detyrave, obligimeve. Në këtë sens, do të thotë nuk u ik, nuk u shmangem. Kam qenë dhe jam i gatshëm, pse jo... Jam në politikë”, tha Bukoshi.
Procesi i ndryshimeve në Qeveri, sipas marrëveshjes për koalicion ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, i është besuar kryeministrit Thaçi, por në bazë të dakordimit me kreun e LDK-së.
Këto ndryshime janë përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar, por me sugjerime që ato të përfshijnë masa edhe ndaj zyrtarëve të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorime financiare. Ndërkaq, opozita i ka cilësuar ato si ndryshime të parëndësishme, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.