Ndërlidhjet

Nisin bisedimet për reforma zgjedhore


Pas evidentimit të mangësive dhe parregullsive në zgjedhjet e fundit lokale, partitë politike në Kosovë, me rekomandime ndërkombëtare, kanë iniciuar reformat zgjedhore, që konsistojnë në ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për zgjedhjet.


Partitë politike në Kosovë kanë arritur një lloj konsensusi politik për nevojën e inicimit të ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet lokale dhe atë për zgjedhjet e përgjithshme.

Nevoja për reforma zgjedhore doli si kërkesë pas zgjedhjeve të fundit komunale, në të cilat u vërejtën shumë vonesa dhe parregullsi.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Bahri Hyseni, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se aktualisht bisedimet për këto ndryshime po zhvillohen në nivel të shefave të grupeve parlamentare.

“Ka nisma për bisedime për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet parlamentare. Nismat kanë filluar. Do të thotë, janë diskutime në parim ndërmjet shefave të grupeve parlamentare”.

“Unë si Komision për Legjislacion kam pasur rastin të bisedoj për këtë çështje, se a duhet të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet në përgjithësi, si për ato parlamentare ashtu edhe për ato lokale, dhe mund të konsiderojmë se kanë nisur bisedimet”,
thotë Hyseni.

Ndërkohë, njëri nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Blerim Burjani, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se ligji duhet thjeshtuar, në mënyrë që të lehtësohen edhe procedurat e punës dhe komunikimi ndërmjet KQZ-së dhe Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Ka ide që ligji duhet të pësojë ndryshime të sistemit zgjedhor. Thuhet që sistemi proporcional me lista të hapura ka prodhuar efekte negative, sidomos në ruajtjen dhe besueshmërinë e votës që ka dhënë qytetari”.

“Ka pasur probleme dhe aty ka ide që ky sistem të jetë i mbyllur, por kjo është vetëm ide që vjen nga instancat e ndryshme vendore e ndërkombëtare. Ka ide që Kosova të shndërrohet në gjashtë dhe jo një zonë zgjedhore. Si dhe ideja tjetër është që të ruhet sistemi proporcional i listave të hapura
”, shprehet Burjani.

Blerim Burjani thekson se procedurat e ndryshimit të këtij ligji janë mjaft të gjata dhe nëse mendohet të ketë reforma zgjedhore par nëntorit të vitit të ardhshëm, ato duhet nisur menjëherë.

“Procedurat janë jashtëzakonisht rigoroze dhe konsideroj se me hapjen e debatit për ligjin për zgjedhjet, kemi hapur një debat mjaft esencial dhe shumë problematik në Kosovë për politikanët, për partitë politike”.

“Kjo për arsye se lufta më e madhe do të jetë që të mbrohet sistemi proporcional me listat e hapura, sepse interesi i partive politike sot është që mos të luajë ky sistem, por në zgjedhjet e ardhshme eventualisht të rrumbullakohen pesë kandidatë për zgjedhjet nacionale”
, thekson Burjani.

Ligji për zgjedhjet, buron nga Pakoja e Ahtisaarit, andaj për ndryshimin e tij kërkohet edhe pëlqimi i faktorit ndërkombëtar.

Deputeti Bahri Hyseni shpreh besimin se edhe ndërkombëtarët e kanë fare të qartë se ndryshime duhet të ketë dhe se, siç shprehet ai, nuk beson se reformat zgjedhore mund të zvarriten.

“Duhet një bashkëveprim i përbashkët edhe i faktorit vendor edhe i atij ndërkombëtar. Mirëpo, është domosdoshmëri që ligjet të ndryshohen, sepse aktualisht këto ligje i kanë të metat e veta, është parë në praktikë që janë të pazbatueshme”,
sqaron Hyseni.

Aktualisht, ka një pajtueshmëri për ridefinimin e KZAP-it dhe harmonizimin e anëtarëve të KQZ-së me dokumentin e Ahtisarit nga numri aktual 11 në 9 anëtarë. Sa i përket votimit, ka mendime se duhet hequr përfundimisht votën me kusht.

Kurse, debati më i nxehtë pritet të jetë rreth sistemit zgjedhor, përkatësisht nëse do të vazhdohet me sistemin proporcional dhe listat e hapura, apo do të shkohet me një sistem të përzier dhe lista të mbyllura.
XS
SM
MD
LG