Ndërlidhjet

Stajnberg: SHBA-të, partnere të Kosovës


Xhejms Stajnberg
Xhejms Stajnberg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin çdo hap që Kosova bën drejt të ardhmes, deklaroi të enjten në Prishtinë, zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Xhejms Stajnberg.

Këto komente, zyrtari i lartë amerikan i bëri pas një takimi të përbashkët që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Ndërsa premtoi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën, Stajnberg inkurajoi institucionet të angazhohen edhe më shumë në luftimin e dukurive negative.

Sidoqoftë, ai e vlerësoi si evident përparimin e arritur në Kosovën e pavarur dhe premtoi partneritetin amerikan drejt së ardhmes.

“Shtetet e Bashkuara mbajnë një ndjenjë të posaçme për popullin e Kosovës dhe ne duam të jemi partneri i juaj në çdo hap drejt së ardhmes”
, tha diplomati amerikan Stajnberg.

Ai lavdëroi përparimet e arritura në përfshirjen e komunitetit serb në institucione dhe përshëndeti formimin e komunave të reja me shumicë serbe.

Ndërkaq, lidhur me integrimet si pjesë e angazhimeve të Prishtinës zyrtare, diplomati amerikan tha se Uashingtoni do t’i mbështesë angazhimet e Kosovës për t’u integruar në BE si dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Ndërkohë, si sfida, Shtajnberg veçoi angazhimet në luftimin më efikas të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Mungesa e luftimit të këtyre dukurive nuk e dëmton vetëm integrimin dhe investimet e jashtme, por e dëmton të ardhmen e vendit tuaj”
, pohoi Stajnberg.

Dukuritë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nënvizoi ai, nuk janë vetëm sfida të Kosovës, por edhe të vendeve tjera të rajonit. Në këtë kuadër, ai inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të nisin dialogun për çështje pragmatike, pavarësisht dallimeve që të dyja vendet kanë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Në disa çështje, sidomos në atë të statusit politik ka ende mospajtime të thella. Por, ka edhe interesa të përbashkëta, si ballafaqimi me problemin e korrupsionit, krimit të organizuar, sigurisë dhe doganave”
, tha Stajnberg

Sidoqoftë, përveç rëndësisë së vendosjes së këtij dialogu, ai nuk dha ndonjë afat kohor apo agjendë konkrete, që parasheh vendosjen e këtij dialogu për çështje, të cilësuara si pragmatike.

Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë falënderuan edhe një herë Uashingtonin për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Kosovës dhe i ftuan investitorët amerikanë të investojnë në Kosovë.

Presidenti Sejdiu tha se i konfirmoi zyrtarit amerikan përkushtimin e Kosovës që të jetë pjesë e proceseve integruese, si dhe duke rikonfirmuar edhe gatishmërinë për marrëdhënie të mira me Serbinë, si dy shtete fqinje.

“Në aspektet e politikave që zhvillon Kosova në planin ndërkombëtar, pra të relacioneve të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe një dëshirë tonën të shprehur që të kemi relacione të mira edhe me Republikën e Serbisë, dhe të njëjtën kohë duke nënvizuar edhe qasjen e mirë që kemi për raportet tona me vendet e rajonit”
, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se e kishte njoftuar diplomatin amerikan edhe me ndryshimet e fundit në Qeverinë e tij, duke u zotuar se ato do të jenë në funksion të një qeverisjeje më të mirë.

“E informova z.Stajnberg edhe për riformatizimin afirmativ të Qeverisë në zotimin tonë për rritjen e efikasitetit në qeverisjen e mirë, për sundimin e ligjit, për luftë të pa-kompromis kundër dukurive negative, por edhe për hapat tjerë ekonomikë që po i ndërmarrim këtë vit”
, theksoi Thaçi.

Pas takimeve me zyrtarët e lartë në Prishtinë, Stajnberg vizitoi edhe komunën e re të Graçanicës, ku realizoi një takim të përbashkët me udhëheqësit e tri komunave të reja serbe.

Edhe pas këtij takimi, Stajnberg përsëriti mesazhin e tij për nevojën e vendosjes së dialogut pragmatik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Para se të mbërrijë në Prishtinë, zëvendëssekretari amerikan i shtetit kishte vizituar edhe Sarajevën dhe Beogradin.
XS
SM
MD
LG